Pas tre viteve në krye të institucionit të ri të drejtësisë, Arben Kraja do të dorëzojë sot premten çelësat e SPAK.

Sot është dita e garës për zëvendësimin e tij. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Kraja ka uruar tre kandidatët që garojnë për kryesinë e SPAK, ndërsa thekson se SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe me të lartë.

Në orën 10:00 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë 3 kandidatët Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili do të shpalosin platformat e tyre. Ai që do të bindë më shumë KLP-në do të marrë stafetën e SPAK deri në 2025-ën.
Për të shmangur cënueshmërinë, procesi do të monitorohet nga ambasada e SHBA.

Gjatë këtyre ditëve ambasadorja Juri Kim ka apeluar në mënyrë të vazhdueshme që zgjedhja e pasardhësit të Arben Krajës të mos ndikohet nga politika.

Madje për të treguar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, diplomatja amerikane ka zhvilluar takime me anëtarë të Këshillit të Lartë të prokurorisë. Porosia ka qenë e prerë: pushteti duhet t’I mbajë duart larg për të mos manipuluar procesin. Ky është thelbi i reformës në drejtësi.

Në përgjigje të thirrjes së ambasadores kryeministri Rama deklaron se kreu i prokurorisë speciale nuk zgjidhet as nga qeveria e as nga ambasada por nga vetë anëtarët e Këshillit të lartë të Prokurorisë. Edhe atyre Rama u ka kërkuar të mos influencohen nga askush por të vendosin në bazë të performancës së emrave që garojnë për kreun e SPAK.