Shqipëria ka satelitë në orbitë, por institucionet po kërkojnë zgjidhje më të thjeshta në terren. Pas flakëve që shkrumbuan kurorën e gjelbër të Mallakastrës edhe këtë vit, nga njëra anë, dhe rrezikut që ende vijon për shkak të temperaturave të larta, nga ana tjetër, Bashkia Fier kërkon të blejë një dron për emergjencat civile.

Në dokumentin e depozituar në Agjencinë e Prokurimit Publik specifikohet se droni duhet të ketë shpejtësi minimale të lëvizjes horizontale 50 km/h, shpejtësi minimale të ngjitjes 18 km/orë, ndërsa lartësia maksimale e ngjitjes duhet të jetë 4 km.

Tender të ngjashëm ka hapur edhe Bashkia Mirditë. Ajo kërkon të blejë një dron, i cili do të përdoret për mbikëqyrjen e ndërtimeve dhe respektimin e ligjit në territor, duke kontribuar në parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe shkeljeve të tjera urbanistike.

Sa i përket performancës në fluturim, droni duhet të ketë shpejtësi maksimale ngjitjeje deri në 10 metra në sekondë dhe 6 metra në sekondë kur është i pajisur me aksesorë. Po ashtu, shpejtësia maksimale e zbritjes kërkohet të jetë 8 metra në sekondë dhe 6 metra në sekondë me aksesorë.

Në një botë ku teknologjia fluturon mbi kokat tona, Shqipëria po mëson se as satelitët më të avancuar nuk mjaftojnë pa sy të vëmendshëm dhe të shpejtë në tokë. Blerja e dronëve për emergjencat civile dhe monitorimin urbanistik nuk është vetëm një hap teknik, por një mesazh i qartë se mbrojtja e natyrës, siguria dhe ligji kërkojnë vëmendje të përhershme dhe veprime konkrete.