Sot besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festojnë Krishtlindjen. Kishat e Krishtera në vendin tonë e kremtojnë në orare të ndryshme meshën me rastin e ‘Lindjes së Krishtit’.
Këtë mëngjes po mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Meshën e mban kryepeshkopi Anastas Janullatos. Ndërkohë që mbrëmë në Katedralen e ‘Shën Palit’ kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës Arjan Dodaj drejtoi meshën për besimtarët katolikë.
NNë Tiranë mesha e krishtilindjes për besimtarët katolikë nisi rreth orës 23:00 në Katedralen e Shën Palit dhe vazhdoi deri pas mesnate.
Krishtlindja është nga festat më të rëndësishme në kalendarin e besimtarëve katolikë dhe ortodoksë. Sipas besimit ortodoks dhe katolik, në këtë ditë ka ardhur në jetë nga Virgjerësha Mari, shpëtimtari Jezu Krishti, biri i Perëndisë. Festa e Krishtlindjes simbolizon unitetin dhe ngrohtësinë e të qenit të gjithë pranë familjes.
Duke filluar nga dje atmosfera e Krishtlindjeve ka pushtuar të gjithë vendin. Sheshi ‘Skënderbej’ ka mbledhur rreth vetes qindra qytetarë, disa duke bërë foto pranë pemës, të tjerët të konsumojnë një pije në shoqëri të mirë, e të tjerë në pritje të koncertit që do të mbahet në qendër.
Lutjet, urimet dhe mesazhet u përcollën nga qytetarët edhe përmes ekranit të Report tv teksa shijonin atmosferën festive në Tiranë, rrethe dhe gjithë vendin. Mesha e shenjtë në katedralen ‘Shën Pali’ mblodhi besimtarët në lutje për njerëzit e dashur dhe shoqërinë.
Në prag të Krishtlindjes, Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Angelo Massafra bën thirrje që të gjithë të bashkohen për të krijuar kulturë paqeje. Sipas tij, lufta në Ukrainë është duke prishur fytyrën e bukur të Evropës dhe duke lënë pasoja në ekonominë botërore, përfshi edhe Shqipërinë. Viti i vështirë financiar reflektohet dhe te blerjet, teksa tregjet agro-ushqimore janë thuajse të boshatisura.
Ndërsa më parë edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Krishtlindjes. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, kryepeshkopi Anastas bën thirrje që të kultivojmë paqen brenda vetes dhe me të tjerët.
‘Paqja nuk është thjesht një urim, por është dhuratë hyjnore dhe arrihet përmes bashkëpunimit të njeriut me Perëndinë.’- thuhet në mesazhin e Peshkopit Anastas.