Nga Lorenc Vangjeli
Edhe njëherë si përherë. Dita e Samitit evropian në Tiranë dhe grushtit ballkanas në protestë, e ndau Shqipërinë në dysh. Protagonistë absolutë të historisë së vendit, Rama dhe Berisha, për arsye krejt të ndryshme, u rivunë aty ku e shohin gjithmonë veten, në qendër të vëmendjes. Nga njëra anë është Rama, mikpritës i Samitit, një akt politik në bashkautorësi me kumbarët e ardhjes në Tiranë, Scholz e Macron, që kreu një aksion pothuaj personal diplomatik të tij dhe nga ana tjetër Berisha, që me këmbënguljen e tij proverbiale u shndërrua në shënjestrën fatkeqe të grushtit të një njeriu të çekuilibruar mendërisht. Pa u mbyllur ende e marta e parë të dhjetorit u dhanë dëshmi të menjëhershme për atë çfarë u diskutua mbas dyerve të mbyllura të Samitit, por me gjasë, do të nevojiten pafundësisht të marta të tjera për të hedhur dritë mbi të vërtetën e asaj drame njerëzore dhe politike që u zhvillua në skenën nën qiell të hapur të protestës. Opinioni publik i ndarë në dy linja fronti, nuk beson ende atë që dikton logjika, por i nënshtrohet magjisë groteske të teorive të konspiracionit.
Ngulmi idiot për të diskutuar pafundësisht për gjurmët edhe në rastin kur ujku vazhdon të duket vërdallë, nuk është risi shqiptare dhe aq më pak, një risi e vetmuar. Sipas paradoksit qesharak që e gjen të vërtetën jo aty ku ajo objektivisht gjendet, por në atë se çfarë beson secili, publiku është barrikaduar në dy llogore kundërthënëse: atentatin e skicoi Rama dhe Berisha është edhe subjekt, edhe organizator i tij. Sado të marra të duken si ide, ato tashmë kanë përbetuesit e tyre, gjymtyrët e të cilëve nuk i ndruhen zjarrit ku i vënë të dyja duart në zjarr me përbetim se është pikërisht kështu.
Politika shqiptare, e cila në vite kushtëzohet nga ca pak potrete protagonistësh, nuk shpjegohet dot me ligjësitë normale të saj. Më së shumti, ajo i gjen përgjigjet e pikëpyetjeve të saj tek letërsia dhe psikologjia. Njohja e psikologjisë së dy individëve Rama e Berisha, është ndoshta çelësi më i pagabueshëm për të mbërritur tek një e vërtetë e tretë alternative, që përjashton dhe i bën qesharake të dy pistat e teorive konspirative.
Rama është një personalitet me shumë përthyerje. Tek ai gjendet njëkohësisht edhe narcizisti i vetëplotësuar, edhe egocentriku vetëbesues. Si i tillë, ka gjasa zero që në skenën që ai ndërtoi vetë, në një nga paragrafët më shkëlqyes që ai do t’i shkruajë vetes në historinë politike të vendit, të lejonte një krismë arme në koncertin e tij vetjak. Për asnjë arsye dhe për asnjë llogari, ai nuk do të donte të ndante atë moment vetmitar lavdie me askënd dhe aq më pak me Berishën duke i dhënë atij statusin e viktimës. Ditën e Evropës në Shqipëri, njeriu që e numëron veten në rreshtin e parë të kryevropianëve shqiptarë, akti hakmarrës ballkanas në bulevard, nuk ka asnjë shans të ishte pjesë jo e planeve, por edhe e maktheve të tij më të fshehta.
Berisha është gjithashtu një personalitet i shumëfishtë. Ai është një nga rastet e rralla të bashkëjetesës së mundimshme, sipas këndvështrimit të rradhës, të djallit dhe të ëngjëllit tek i njëjti individ. Edhe ai është narcizisti klasik dhe egocentriku i skajshëm. Skena evropiane që mbante kundërshtarin e tij në qendër dhe e kishte përjashtuar atë vetë totalisht, me të gjitha gjasat ka qenë vuajtje fizike për të. Me çdo kusht dhe çdo çmim ai do të paguante pa kushte çdo çmim të mundshëm për të qenë pjesë e asaj skene. Për të qenë në atë minievropë të përkohshme të Evropës në Tiranë, për t’u konsideruar një nga protagonistët e saj dhe për të deklamuar edhe ai: unë jam këtu! Por gjasat që të zgjidhte grushtin si ftesë për në skenë, janë gjithashtu zero. Malësor dhe tradicional, luftëtar që ka grushtuar gjithë jetën, Berisha, sado cinike qe të tingëllojë ky pohim, padyshim preferon plumbin që mbaron punë përballë goditjes poshtëruese me grusht në fytyrë. Ai do të zgjidhte të ishte agresor i dyshuar, por triumfues dhe jo viktimë e faktuar dhe humbës.
Mjafton kjo logjikë e thjeshtë, që së paku këto dy pista ekzotike të mos gjenin vend në Tiranë. Por në kushtet e presionit të teorive konspiracioniste, është e pamundur që tifozët respektivë të besojnë qoftë reagimin e menjëhershëm instiktiv të Ramës kundër dhunës ndaj Berishës, e qoftë të shohin besueshmëri tek Berisha që e konsideron instiktivisht Ramën autor të saj.
Ideja e tretë që Rama ka dashur të provokojë turmën që shoqëronte Berishën për të kryer akte dhunë si shpagim ose për simetri, që Berisha të zgjidhte të vetësakrifikohej për interesin e grupit që beson tek ai, është thjesht marrëzi teorike dhe jo teori praktike.
Logjika dikton se grushti i të martës është një armë që e ka mbushur ditë mbas dite bindja se forca është mjet politik dhe shikimi i politikës kryesisht si tapet force është normalitet. Logjika orienton bindjen se grushti ose ka qenë një rastësi fatale, ose një fatalitet i shkaktuar nga autorë të tretë që ndoshta nuk do të zbulohen kurrë.
Grushti që goditi Sali Berishën përgjaku në fakt gjithë portretin e shoqërisë shqiptare. Ai çast që zgjati sa një selfie në celular, demonstroi në mënyrë të pamëshirshme një qark të mbyllur problematikash, herë të rënda dhe herë qesharake të mosfunksionimit të një shoqërie në krizë dhe depresion të thellë. Të gjithë autorë dhe të gjithë protagonistë, të gjithë atentatorë dhe të gjithë viktima, ai çast fatkeqësisht sërish nuk afron pothuaj asnjë shans për të reflektuar se çfarë është bërë keq dhe nuk jep asnjë shans tjetër për të kuptuar se çfarë duhet bërë ndryshe; ishte dëshmia e rradhës që provon sesa të brishta janë ekuilibret e brendshme të shoqërisë shqiptare që ngjan se është një shkëmb në majë të një humnere që mbahet pezull nga një guralec i vetëm.
Në kushtet kur institucioni i besimit pothuaj nuk ekziston, kur policia dhe drejtësia si çertifikues të së vërtetës zyrtare shihen me dyshim dhe palë në qëndrimet e tyre, në kushtet e marrëzisë kolektive që nuk synon të vërtetat e thjeshta, por i jep këtë status asaj që dikton interesi, ngushëllimi i vetëm mbetet që Berisha u ringrit në këmbë mbas grushtit dhe se autori i tij i dukshëm është në qeli. Fatkeqësisht, më e keqja është ende udhës. Fatkeqësisht më e keqja, gangrena që do të godasë themelet e stabilitetit e do te ndëshkojë standartet e demokracisë, ende nuk kanë konsumuar fundin e tyre. Dimri me sfond hakmarrjen për te martën, do të jetë sërish përvëlues në Tiranën e ndarë përgjysëm nga Lana dhe ku palët e shohin njëra-tjetrën nga dy brigjet e kundërta të kanionit të urrejtjes që ka krijuar “njeriu i ri pluralist”: nga brigjet e kundërta të humnerës që ndan pushtetin nga opozita.