Udhëheqja ushtarake e Ukrainës ka përjashtuar mundësinë e një armëpushimi midis Vitit të Ri dhe festës së Krishtlindjeve Ortodokse. “Do të ketë një armëpushim të plotë nga ana jonë vetëm kur të mos ketë mbetur asnjë pushtues në tokën tonë”, deklaroi sot gjenerali Oleksiy Hromov në një konferencë për shtyp, në Kiev. Më herët, Kremlini kishte njoftuar se nuk ishte planifikuar një armëpushim për festat e ardhshme në fillim të janarit. “Aktualisht, situata në front vazhdon të jetë e njejta”, tha Hromov.
Megjithatë, në rajonin e Luhanskut, trupat ukrainase kishin avancuar rreth 1.5 kilometra drejt qytetit të vogël të Kreminës. Në jug të vendit, trupat ruse bombarduan qytetin e Khersonit, i cili u çlirua nga ushtria ukrainase në nëntor. Sipas autoriteteve ukrainase, dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur. Si pasojë e bombardimeve, qyteti është plotësisht pa energji elektrike.
Ndërkohë, në Ukrainën lindore, pushtuesit rusë raportuan sulme të rënda në Donetsk, duke përfshirë raketahedhës. Sipas informacioneve të tyre, të paktën një person ka humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur. Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Pavarësisht pengesave ushtarake, Moska vazhdon të kontrollojë rreth 18% të territorit të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, të cilin e aneksoi në 2014