Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një vizitë të papritur në qytetin lindor të Bakhmutit, ku ka pasur beteja të vështira midis trupave ruse dhe ukrainase për muaj me rradhë.

“Zelensky vizitoi pozicionet e vijës së parë dhe shpërbleu ushtarakët me medalje dhe dhurata të vlefshme”, njoftoi zëdhënësi i tij, Serhii Nykyforov. Zelensky e përshkroi dje Bakhmutin si pikën më të nxehtë në të gjithë vijën e frontit prej 1 300 kilometrash.

Disa muaj më parë, Zelensky tha se ushtria ruse e kishte kthyer qytetin në një gërmadhë të djegur. Zelensky nuk është larguar asnjëherë nga Ukraina që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë gati 10 muaj më parë. Por në disa raste, Zelensky ka udhëtuar në zonat e luftimit për të treguar mbështetje për trupat. Në të kundërt, presidenti rus, Vladimir Putin nuk ka vizituar asnjëherë një zonë të vijës së parë.