Çështja e emigracionit të paligjshëm drejt Amerikës është temë e nxehtë edhe për administratën Biden, siç ishte më herët edhe për atë Trump.
Emigracioni i paligjshëm nga Meksika drejt Amerikës ishte kalë beteje në fushatën e kaluar të Trumpit dhe pati debate të forta për masat e ndërmarra prej tij dhe retorikën e fortë se bashkë me emigrantët vjen krimi dhe papunësia për amerikanët.
Shumë vendime të administratës së mëparshme Trump janë kundërshtuar nga demokratët duke i goditur ato në gjykatat federale apo gjykatën e Lartë.
Së fundmi, për këtë temë që i ndan palët politike në Amerikë se si duhet të jenë politikat migratore, Gjykata e Lartë vendosi të martën se vendimi i administratës Trump gjatë pandemisë për të kthyer mbrapsht emigrantët do të mbetet në fuqi.
Ky vendim i kundërshtuar kategorikisht nga demokratët, lejon zyrtarët federalë që të deportojnë emigrantët pa dokumente që kërkojnë të hyjnë në Amerikë.
Gjykata e Lartë zgjati përkohësisht masën e diskutueshme të ndërmarrë nga republikanët duke votuar 5 me 4 në favor të lënies në fuqi, ndërsa ranë dakord të dëgjojë argumentet verbale në shkurt nga shtetet e udhëhequra nga republikanët.
Kjo masë lejonte oficerët Kufitarë të dëbojnë emigrantët në kufirin me Meksikën me arsyetimin se ata mund të sillnin Covid-19 në SHBA. Sipas kritikëve ky mekanizëm u përdor si mjet për menaxhimin më të gjerë të emigracionit, jo si masë e thjeshtë e shëndetit publik.
Të dyja palët e pranojnë se ka probleme të rënda me sistemin e emigracionit në Amerikë, por ndahen në masat që duhen ndërmarrë për ta luftuar dhe ligjëruar atë.