Nga Mero Baze/
Ka disa ngjarje kriminale në jetën e një vendi që shërbejnë jo vetëm si standard juridik për ndëshkueshmërinë, por dhe si standard moral për shoqërinë dhe politikën për ti ndëshkuar ato. 21 Janari është më tipikja e një historie vrasjesh për nevoja politike.
Kryeministri i vendit Sali Berisha, i ka bërë të gjitha çfarë mund të bëj një vrasës gjakftohtë. Në fillim ka vrarë, pastaj ka tentuar tia lërë vrasjet si vepër kundërshtarit, më pas kur u zbuluan faktet me video që ka vrarë Garda, ka marrë përsipër vrasjet dhe i ka justifikuar si grusht shteti. Saga e pandëshkueshmërisë ka vazhduar më tej duke bllokuar drejtësinë të hetoj, duke penguar arrestimet e gardistëve, duke prishur provat, duke fshirë plumbat nga oborri i kryeministrisë, duke zhdukur serverin e kryeministrisë që ka regjistruar ngjarjet dhe deri tek kërcënimet për vrasjen e liderit të opozitës.
Pra nuk ka lënë gjë mangët çdo krimineli klasik që ka bërë vrasje për nevoja politike, qofshin këta fashistë apo komunistë në gjithë botën, që nga Pinoceti, deri tek Pol Poti.
Dhe nuk e kam më me atë, se ai është i “ndershëm” si vrasës në këtë histori. I ka bërë vrasjet, i ka pranuar, ka premtuar se do ti bëj prap gjithmonë, bazuar tek siguria që drejtësinë e ka vënë poshtë këmbëve dhe nuk e përfill.
Unë nuk kam më fuqi të them kur do vendoset drejtësia për atë ngjarje, por kam ende fuqi të besoj se Partia Demokratike apo shumë politikanë të saj, do të gjejnë një ditë fuqi të distancohen nga ai krim.
Ka plot komunistë të rëndësishëm të Shqipërisë që kanë gjetur fuqi të distancohen nga krimet e diktaturës. Madje dhe ata që kanë qenë shumë afër diktatorit. Ka dhe vet komunist që kanë lyer duart me gjak si Bedri Spahiu fjala vjen që ka bërë një reflektim të thellë për krimet e tij. Ka djem kryeministrash gjakatar si Bashkim Shehu, djali i Mehmet Shehut, që janë emblema të qytetarit të përgjegjshëm shqiptar duke reflektuar për krimet e babait vet, krimet e diktaturës dhe duke i dhënë Shqipërisë një fytyrë krenare për vetëdijen e saj perëndimore.
Asnjë eksponent politik i rëndësishëm i PD që ka qenë në pushtet më 21 Janar, nuk është distancuar nga ajo ngjarje. Seç ekziston një kompleks i krimit kolektiv, që ata i mban të bashkuar edhe pse nuk kanë fare faj madje edhe kur janë të përdorur në atë histori. Kujtoj këtu komisionin qesharak hetimor që kërcënonte prokurorët dhe na shpallte puçist ne gazetarëve, apo plot deputet që detyroheshin të mbanin fjalime histerike kundër “pucit të shtetit” disa ditë më vonë.
E kuptojë tërësisht atë moment dhe atë përdorim politik. Por njeriu ka një kohë në jetën e tij që gjen arsye të plota për të dënuar të shkuarën e keqe të vetes së tij qoftë dhe kur ka qenë i përdorur.
21 Janari duhet të dënohet nga PD si një krim politik, jo se do vendoset drejtësia, por se shoqëria do bëhet më e sigurt dhe më e mirë, duke mos krijuar një mit për vrasjet politike si vrasje të drejta. Nuk ka rëndësi nëse je mbështetës i Berishës apo Bashës apo nuk je i askujt. Ka shumë rendësi që kushdo që ka qenë në atë ditë mbështetës i pushtetit, të distancohesh nga ajo që ka ndodhur dhe ta dënoj si diçka që nuk duhet të ndodh kurrë në këtë vend.
Mendoni sikur Fatos Nano të kish hap zjarr më 14 shtator kur turmat hynë brenda zyrës së tij duke poshtëruar dhe simbolet shtetërore. Mendo sikur Edi Rama të hapte zjarr në protestat e tensionuara të opozitës më 2019, kur rrethonin Kuvendin dhe qeverinë, apo kur hynin brenda asaj që Berisha e quan “rregullore e bulevardit”, “rregullore e sheshit” apo e leshit, për të justifikuar vrasjet e tij.
Ka shumë rëndësi që PD ose së paku shumë njerëz të PD të asaj kohe të çlirohen nga ai krim, që nuk është i tyre, dhe ta dënojnë për të shpëtuar historinë e saj. Dhe kjo nuk vlen thjesht për të dënuar Sali Berishën. Të vrarët prej tij dhe familjes së tij bëjnë një varrezë më vete në këtë vend. Ata nuk ka zot ti shpëtoj dhe nëse i mbështet dhe nëse distancohesh prej tyre.
I kam vënë re që dhe një dekadë pas krimit, PD bëhet nervoze me vrasjet dhe përpiqet ti mbrojë, ndërkohë që kërcënon për revolucion dhe përmbysje pushteti me dhunë. Është gati e njëjta kulturë si ajo e militantëve të Berishës, që mburren me gjithë rrahjet dhe dhunën e Berishës ndaj kundërshtarëve. Kultura e dhunës, e rrahjes e vrasjes dhe poshtërimit të kundërshtarit është fytyra talibane e PD dhe fatkeqësisht identiteti i saj që e ka lënë përjetësisht një pakicë në këtë vend , pakicë që po shkon drejt shuarjes. Por dhe drejt shuarjes duhet të përpiqen së paku të distancohen nga ai krim. Është më mirë të vdesësh pa pengje se sa me mllefin e një vrasësi që shpenzon gjithë jetën për të justifikuar krimet e veta.