Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati thotë se kreu aktual i SPAK-ut, Altin Dumani e njeh shumë mirë dosjen e 21 janarit.
Ferhati u shpreh se asokohe kur ndodhi ngjarja, Dumani ka qenë prokuror në Apel ku e ka ndjekur dhe ka përgatitur një raport për këtë çështje.
“21 janari nuk mund të mbyllej, në gjykimin tim personal, me dënimin e vetëm dy personave, ndërkohë që në pyetje, të dyshuar u morën një sërë zyrtarë të kohës. Kemi parë me pamje filmike që ato nuk ishin vrasje nga pakujdesia, të shpjeguara edhe nga ekspertë që e njohin mirë pëdorimin e armëve të zjarrit. Edhe për prokurorët në atë kohë ka qenë një vendim absurd ky, qoftë për prokurorin Shkëlqim Hajdari, qoftë për prokurorin Altin Dumani.
E vetmja e dhënë që mund t’i krijojë shpresë mazhorancës është edhe fakti që kreu i SPAK-ut ka qenë prokurori i Apelit për çështjen dhe e njeh shumë mirë dosjen. Është ballafaquar në Apel, ka përgatitur një pjesë të raportit bashkë me kolegun e tij atë kohë. Për sa kohë, prokurorët në atë kohë në Apel, kërkuan “vrasje me dashje” për zyrtarët e Gardës së Republikës, patjetër që ato kanë pasur një bindje referuar provave, materialeve dhe hetimeve”, theksoi ai.