Nga Tim Judah
A do të marrë ndonjëherë fund lufta e Kosovës?
Krizat në Kosovë kanë një kronologji të njohur. Fillimisht, pas një mosmarrëveshjeje mes udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës, vendoset një afat nga ana kosovare për të bërë diçka dhe në veriun e banuar nga serbët ngrihen barrikada.
Diplomatët karikohen, bëjnë deklarata të ashpra dhe ushtria serbe zbarkon në kufi duke nxjerrë edhe pamje të autokolonave në rrjete sociale. Nacionalistët serbë fantazojnë se do të bëjnë diçka dhe tabloidet serbe shkruajnë se shqiptarët e Kosovës do t’u shpallin luftë serbëve.
Kur arrihet kjo pikë, një pjesë e medias perëndimore zgjohet dhe gazetarët, që duket sikur nuk arrijnë ta ngulitin në mendje faktin se NATO-ja ka me mijëra trupa në Kosovë dhe se është zotuar që ta mbrojë nga Serbia, mendojnë se kjo e fundit do ta pushtojë atë. Më pas arrihet një ujdi dhe barrikadat hiqen deri në krizën e radhës.
Sot ndodhemi në fund të këtij cikli. Barrikadat, që qëndruan të ngritura për 20 ditë me radhë, janë hequr dhe të gjithë janë kthyer nëpër shtëpia, por këtë herë, situata ishte kritike. Barrikadat konsistonin në kamionë që kishin bllokuar rrugët në 14 pika.
Një javë më parë, teksa po vizitoja fshatin e Rudarës, një prej kolegëve të mi më tregoi një autobot me karburant. Njerëzit nuk janë aspak të kënaqur me këtë gjë, më tha ai. Autoboti ishte plot dhe po të ndodhte ndonjë incident i dhunshëm, ai mund të shpërthente.
Teksa flisnim, gjykatës, mësuese, doktorë, në fakt dukej sikur e gjithë borgjezia e lartë e veriut të Kosovës së banuar nga popullsia serbe, vinte vërdallë duke biseduar me miq dhe duke ngrohur duart në zjarr. Disa ndodheshin këtu me dëshirë, disa të tjerë ngaqë shefat e tyre politikë i kishin urdhëruar të vinin këtu. Këtu ndodheshin edhe udhëheqës të partisë më të madhe serbe të Kosovës.
Në një moment të caktuar, aty u shfaq një makinë dhe prej saj dolën katër djem të rinj me maska në kokë. Në qytetin e Mitrovicës, ku veriu banohet nga popullsia serbe dhe jugu nga ajo shqiptare, pjesa veriore është e mbushur me flamuj serbë dhe me grafiti të asaj që quhet “Brigada Veriore”. Në to shkruhej: “Mos u bëni merak… Ne po presim!” Por kush janë ata? Një milici serbe që qëndron në pritje? Askush nuk e di me siguri.
Me zë të ulët, banorët më thonë se gjatë vitit të fundit, 600 burra janë dërguar për stërvitje ushtarake në Serbi. Por nuk ekziston asnjë mënyrë për ta ditur me siguri këtë.
Ndërkohë, banorët vendas kishin zënë radhën nëpër bankomate. Duke qenë se barrikadat kishin mbyllur dy pika kufitare në veri, ata ishin të shqetësuar se bankave mund t’u mbaroheshin paratë.
Po të pyesësh banorët e Mitrovicës së veriut se çfarë duan, me shumë gjasa ata do të kërkonin një jetë normale, atë jetë që të gjithë kanë pasur mundësi ta jetojnë për një çerek shekulli. Por sa gjasa ka kjo gjë të ndodhë? Si mund të pritet nyja gordiane e Kosovës, që ka lidhur fatin e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës (bashkë me atë të Kosovës dhe Serbisë)? Lufta në Kosovë përfundoi në vitin 1999, por megjithatë, diplomatë dhe udhëheqës politikë nuk kanë arritur dhe nuk kanë qenë të gatshëm të bien dakord për një kornizë përfundimtare që do të mundësonte një bashkëjetesë paqësore.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90, Kosova, një provincë jugore e Serbisë, ishte pjesë e saj, edhe pse shumica e popullsisë së saj ishte shqiptare, refuzonte sundimin serb dhe shtypej nga Slobodan Milosheviç, udhëheqësi i atëhershëm serb, i cili ia hoqi kësaj province autonominë e saj. Pas luftës së Kosovës në vitin 1998-99 mes forcave guerile shqiptare dhe forcave serbe dhe pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova u bë një protektorat i OKB-së. Në vitin 2008, vendi shpalli pavarësinë. Kjo pavarësi u njoh nga shumica, por jo nga të gjitha vendet perëndimore dhe nuk u njoh nga Serbia, Rusia dhe Kina. Shqiptarët e Kosovës thanë se gëzonin të drejtën e vetëvendosjes; Serbia pretendonte se iu cenua integriteti i saj territorial, edhe pse asnjë në Serbi nuk donte apo nuk do të ri-integrojë një rajon plot me shqiptarë armiqësorë.
Nga një popullsi prej 1.8 milionësh që ka Kosova, komuniteti serb ka 100 deri në 120 mijë banorë. Më shumë se gjysma jetojnë në pjesën qendrore dhe jugore të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër në veri, një zonë ngjitur me Serbinë. Tani, thonë serbë në veri të Kosovës, situata është përmbysur. Marko Jaksiç, avokat dhe aktivist politik nga Mitrovica e veriut, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “po bën të njëjtat gjëra që bënte Milosheviçi në vitet ‘90”. Por ky është një argument që i zemëron shumë shqiptarët e Kosovës.
Unë dhe Jaksiçi po bisedonim në “Number One”, një hotel dhe kafene, që ndodhet disa qindra metra nga ura mbi lumin Ibër, që ndan qytetin në dy pjesë. Ai e fillon bisedën duke thënë se 10 vite më parë, unë e kisha pyetur se cila do të ishte zgjidhja për Kosovën dhe se ai kishte thënë se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk ishte “atje”, pra, në veri, por “në urë”. Sipas tij, Kosova duhet të ndahet. Kjo është një ide që shkon e vjen njësoj si batica. Deri në momentin që shkoi në Hanë, në vitin 2020, për t’u përballur me akuza për krime lufte, Hashim Thaci, i cili deri në atë çast kishte shërbyer si president i Kosovës, dhe udhëheqësi serb, Aleksandar Vucic, kishin luajtur me këtë ide, por vendet perëndimore e kishin refuzuar në mënyrë kategorike.
As ideja e ndarjes nuk gëzonte mbështetje në Kosovë dhe në Serbi. Problemi nuk ishte veriu i Kosovës, por precedenti që do të krijohej. Nëse veriu i Kosovës do t’i shkonte Serbisë, atëherë çfarë do të ndodhte me luginën e Preshevës në Serbi, që banohet nga një shumicë shqiptare apo me rajonet me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut ose me rajonet me shumicë serbe dhe kroate të Bosnjë dhe Hercegovinës? Kështu, Kutia e Pandorës mbetet e mbyllur. Atëherë, si mund të bëjnë një jetë normale serbët e Kosovës, veçanërisht në veri?
Çuditërisht, përgjigjja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë. Nëse ekziston vullnet politik, nuk ka asnjë problem që nuk mund të zgjidhet mes Kosovës dhe Serbisë dhe serbëve dhe shqiptarëve. Dy palët kanë qenë pjesë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë se një dekadë dhe fakë këtij procesi janë arritur një sërë marrëveshjesh, ndonëse jo të gjitha janë zbatuar.
Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë po ashtu i ka dhënë një frymë të re këtyre bisedimeve, që kryesohen nga emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, i cili mbështetet nga diplomati amerikan, Gabriel Eskobar. Megjithatë, që prej qershorit, kanë mbizotëruar çështje të tilla si targat, kartat e identitetit dhe tani barrikadat. Megjithatë, ata kanë një plan që mbështetet nga Franca dhe Gjermania, që mund të shërbejë si bazë për një zgjidhje afatgjatë. Diplomatët flasin për “dy Gjermani” dhe me këtë nënkuptojnë faktin se Serbia dhe Kosova mund të jetojnë përkrah njëra-tjetrës (siç bënin Gjermanitë e Luftës së Ftohtë), duke mos e njohur njëra-tjetrën zyrtarisht, por si shtete të pavarura.
Por kjo është vetëm gjysma e ekuacionit. Në këmbim të njohjes de fakto, që do të thotë që Serbia ta trajtojë si një shtet fqinj, Kosova duhet të përmbushë zotimin e bërë në vitin 2013 dhe që parashikon që komunat serbe në Kosovë mund të themelojnë një lloj asociacioni, duke u dhënë atyre autonomi në fusha të tilla si shëndetësia dhe arsimi. Gjykata kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë këtë dhe kur ishte në opozitë, Kurti e ka kundërshtuar këtë gjë fuqishëm. Megjithatë, faktori ndërkombëtar po ushtron presion ndaj tij që në një mënyrë apo një tjetër, të gjejë një zgjidhje për këtë gjë.
Kriza aktuale e ka bërë mjaft të vështirë arritjen e normalizimit të raporteve mes dy vendeve. Serbët kanë dhënë dorëheqje nga parlamenti, nga sistemi gjyqësor dhe në veri, nga policia e Kosovës. Ata po ashtu kanë dhënë dorëheqjen nga këshillat vendorë, duke bërë që të shpallej një datë e re zgjedhjesh, por që janë shtyrë për në prill pas sulmit të zyrave zgjedhore në veri të vendit. Tatjana Lazareviç, redaktore e portalit KoSSev në veri të vendit, thotë se që prej largimit të serbëve nga policia, në veri janë dërguar policë shqiptarë dhe vendasit i shohin ata si një forcë tërësisht pushtuese. Ajo shton se serbët në veri “nuk donin të integroheshin në një shtet kosovar dhe këtë gjë nuk duan ta bëjnë as sot”. Por nëse arrihet një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, ajo mendon se njerëzit duhet ta pranojnë këtë gjë.
Kriza aktuale e ka bërë mjaft të vështirë arritjen e normalizimit të raporteve mes dy vendeve. Serbët kanë dhënë dorëheqje nga parlamenti, nga sistemi gjyqësor dhe në veri, nga policia e Kosovës. Ata po ashtu kanë dhënë dorëheqjen nga këshillat vendorë, duke bërë që të shpallej një datë e re zgjedhjesh, por që janë shtyrë për në prill pas sulmit të zyrave zgjedhore në veri të vendit. Tatjana Lazareviç, redaktore e portalit KoSSev në veri të vendit, thotë se që prej largimit të serbëve nga policia, në veri janë dërguar policë shqiptarë dhe vendasit i shohin ata si një forcë tërësisht pushtuese. Ajo shton se serbët në veri “nuk donin të integroheshin në një shtet kosovar dhe këtë gjë nuk duan ta bëjnë as sot”. Por nëse arrihet një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, ajo mendon se njerëzit duhet ta pranojnë këtë gjë.
Nëse arrihet një marrëveshje, atëherë çfarë mund të bënin serbët e Kosovës? Veriu i Kosovës mund të konsiderohet një vend i rrezikshëm. Nëse marrëveshja është edhe në interes të Serbisë, atëherë rebelimi nuk do të tolerohet. Ky është një vend ku politika dhe krimi i organizuar bashkëjetojnë më shumë se kudo tjetër në Ballkan.
Pavarësisht situatës kritike të krijuar me barrikadat gjatë javëve të fundit, gjendja nuk është e pashpresë. Lajçak më tha: “Situata nuk ka qenë ndonjëherë më e tensionuar se kaq gjatë 20 viteve të fundit dhe klima e mosbesimit s’ka qenë ndonjëherë kaq e theksuar.” Por ambasadori amerikan në Kosovë, Xhef Hovenier shfaqet më optimist. Ai më tha se ndërkohë që qëllimi përfundimtar është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, “gjë e cila për fat të keq nuk është e mundur tani për tani, sfidat aktuale ende mund të kapërcehen. Po të shohim këtë marrëveshje të arritur, atëherë kjo mund të konsiderohet si një hap drejt marrëveshjes përfundimtare…ekzistojnë mundësi reale për këtë.”.
Ivan Vejvoda, një analist serb dhe kreu i programit “E ardhmja e Evropës” në Institutin e Shkencave Sociale në Vjenë pajtohet me këtë ide. Pavarësisht acarimeve, “që të dyja palët e kuptojnë se duhet bërë një gjë të tillë, por ato ende po kërkojnë një mënyrë për të dalë fitimtare. Megjithatë, në këtë situatë nuk ka fitimtarë. Secila palë do të humbasë diçka apo më mirë të themi, asnjëra palë nuk do të marrë atë që do. Por qëllimi i kompromisit ky është: të arrish një situatë ku të mund të ecet përpara.” Më pas ai radhit një sërë shembujsh nga Irlanda e Veriut, Ishujt Faroe, territoret baske apo Tiroli i Jugut, ku janë arritur zgjidhje të mira për të drejtat e minoriteteve.
Vetë Kurti është i mendimit se Serbia nuk është e interesuar për të arritur një kompromis, ndërkohë që Vuçiç thotë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Vuçiçi ende kërkon ndarjen, më tha Kurti, dhe ai flet si të ishte “në kërkim të një makine kohe…ndonjëherë do të donte të kthehej në vitin 1999 dhe ndonjëherë në vitin 2007 (para se Kosova të shpallte pavarësinë), por ai tren e ka lënë atë stacion. Është e pamundur që të kthehemi më atje. Shumë prej diplomatëve e konsiderojnë Kurtin si mjaft kokëfortë dhe se ai ka humbur mbështetjen e perëndimorëve, megjithatë, kjo politikë e tij ka dhënë rezultate. Vuçiç duket se është në disavantazh dhe atij i është dashur të bëjë lëshime për një sërë çështjesh gjatë muajve të fundit: më 15 dhjetor, Kurti bëri kërkesë për anëtarësimin e vendit në BE dhe ka marrë edhe premtimin se qytetarët e Kosovës nuk do të udhëtojnë më me viza në vitin 2024.
Megjithatë, mes gjithë këtyre zgjidhjeve teknike, një pjesë e problemit, në fakt, një pjesë e madhe e problemit, është personale. Disa vite më parë unë mora në intervistë Hashim Thaçin, i cili ka pasur një rol drejtues në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kur Vuçiçi shërbente si ministër në qeverinë e Milosheviçit. Pas përfundimit të intervistës, ai më pyeti: “Po kërkon Aleksandarin?” Në fillim nuk po kuptoja asgjë, por më pas kuptova që e kishte fjalën për Vuçiçin. Ditët e sotme Vuçiçi dhe Kurti nuk i drejtohen njëri-tjetrit në emër dhe ata kanë një urrejtje të madhe për njëri-tjetrin. Kur Vuçiçi ishte ministër, Kurti ishte i burgosur politik në një burg serb. Më 1 dhjetor, në mënyrë publike, Vuçiçi e etiketoi Kurtin si një “terrorist të ndyrë”. Mungesa e raporteve personale e bën arritjen e marrëveshjes akoma më të vështirë.
Pasi dolëm nga “Number One” në Mitrovicën e veriut, unë dhe Jaksiçi shkuam tek ura mbi lumin Ibër teksa unë po bëhesha gati të kthehesha për në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Ura mund të përshkohet në këmbë, por për makinat është mbyllur që në vitin 1999. Jaksiçi më tha se si ai dhe kolegët e tij shqiptarë në gjykatën e Mitrovicës ishin ndarë me lot në sy kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Sipas tij, tani nuk kishte më kthim pas. Por më pas filluam të qeshnim kur ai më pyeti nëse do të më drejtonte sërish të njëjtën pyetje pas dhjetë vjetësh. Për mendimin tim, mundësitë që të bëj të njëjtën pyetje janë 60 me 40.