Një arratisje spektakolare ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku një i burgosur në “Idrovicë” është rrëmbyer nga persona të armatosur.
Gjithçka ka ndodhur gjatë shoqërimit të një të burgosuri të sigurisë së lartë nga burgu në spital.
Policia e burgut hasi në disa persona të armatosur, furgoni që transportonte të burgosurin u ndalua, pati të shtëna, një polic u plagos në fshikëz. Ndërsa i burgosuri u nxor dhe iku bashkë me personat e armatosur.
Aksioni i arratisjes ishte planifikuar. Këtë e tregon edhe fakti se personat e armatosur e dinin saktësisht se kur do të dërgohej i burgosuri në spital, e njihnin mjetin dhe megjithëse nuk konfirmohet, ndoshta kishin të dhëna shtesë se sa ishte numri i policëve që do ta merrnin të burgosurin, trajtimi dhe rruga e lëvizjes. I burgosuri jozyrtarisht ka vetëshkaktuar një plagë, për të cilën ka kërkuar mjekim.
Nuk dihet nëse është thirrur ambulancë apo është transportuar direkt.
“A1on” kërkoi informacion nga Administrata e Zbatimit të Sanksioneve se kush ishte komandanti në detyrë gjatë turnit kur ndodhi rrëmbimi, nëse është e vërtetë që i burgosuri i arratisur vuan dënimin për vrasje, si dhe sa efektivë policie e kanë transportuar të burgosurin. Deri në publikimin e lajmit nga aty nuk pati asnjë përgjigje.
Nga MPB kanë paralajmëruar informacione në kohë sa më të shkurtë.
Në një intervistë për “A1on”, Marjan Spasovski, drejtor i Administratës për zbatimin e sanksioneve, ka pranuar se në burgje mbretëron korrupsioni endemik. Aksioni i arratisjes së të burgosurit ka lënë edhe te organet kompetente dyshimin se ka qenë i koordinuar me persona të burgut, duke pasur parasysh informacionet që posedonin personat e armatosur. Ky është vetëm një nga disa incidentet që kanë ndodhur muajt e fundit, lidhur me sistemin e burgjeve.