Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku mori pjesë në Forumin Global të Energjisë, organizuar nga Këshilli Atlantik nën ombrellën e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dabit.
Balluku bën të ditur në një postim në rrjetet sociale se, diskutimet në këtë takim të rëndësishëm u fokusuan në piketat kryesore të axhendës globale energjetike 2030, e cila është ndikuar ndjeshëm nga kriza aktuale.
“Dakordësuam që ky është një moment kritik, ku siguria energjetike është e ndërlidhur ngushtësisht me implementimin e agjendës së gjelbër”, tha Balluku.
Sipas saj, sfida mbi sigurinë energjetike është e ndërlidhur me kohezionin mes vendimarrësëve të sektorit publik dhe privat, por gjithashtu dhe zhvillimin e teknologjive të reja inovative e të qëndrueshme.