Kina nuk duhet të etiketohet si përhapëse globale e Covid-19, por, ashtu si tre vjet më parë, mungesa e transparencës së saj në të dhënat mbi përhapjen e brendshme të sëmundjes ka bërë që disa vende perëndimore të marrin masa paraprake duke kërkuar shtupa nga udhëtarët që mbërrijnë nga Kina.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus ka shprehur mirëkuptim për vendet që kanë prezantuar kërkesat e testimit për udhëtarët nga Kina. Një lëvizje që Pekini, nga frika e izolimit ndërkombëtar, e konsideroi “joshkencore” dhe të paarsyeshme”.
Duke harruar se vetëm pak javë më parë Kina zbatoi karantina drakoniane në hotele speciale për këdo që mbërrinte nga jashtë, Pekini ka kërcënuar se do të hakmerret me kundërmasa.
Në një takim të mërkurën, vendet anëtare të BE-së nuk arritën të bien dakord për testimin e detyrueshëm për mbërritjet nga Kina, por në vend të kësaj “e inkurajuan fuqishëm” atë. Ekspertët kanë këshilluar gjithashtu pasagjerët në bordin e fluturimeve nga Kina që të mbajnë një maskë kirurgjikale ose maskë FFP2 (N95). Masat duhet të rishikohen nga mesi i muajit. Italia ishte vendi i parë në Evropë që prezantoi testimin e detyrueshëm të koronavirusit për njerëzit që hyjnë nga Kina më 28 dhjetor në mes të rritjes së infeksioneve. Të tjerë, përfshirë Gjermaninë, Britaninë, Francën, Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkuar për të vendosur rregulla më të rrepta shëndetësore për të ardhurit nga Kina.