Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes për projektin “Durrës Yacht & Marina” tha: “Durrës Yacht & Marina” hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik por dhe si një konkurrent në një treg më të gjerë se ai shqiptar, që do të ofrojë jo vetëm shërbime të një cilësie të padiskutueshme por punësim cilësor dhe shumë profile pune të mirë paguara për shumëkënd që nuk do të ketë më asnjë arsye nëse do realisht të punojë, që ta shohë të ardhmen jashtë vendit. Durrës Marina do të sjellë mbrapa në vendin e tyre njerëz jo vetëm nga Durrësi por dhe nga vende të tjera për të punuar në Shqipëri.

Pikërisht për këtë ambicie Durrës Marina do të duhet të bëjë realitet të gjitha këto që sot ne i dimë nga konkluzionet logjike për investimin më të madh në historinë e vendit tonë dhe të rajonit. Deri dje shumëkush thoshte shikoni Maqedoninë, ku janë investimet. Ky investim vjen jo nga qielli por si rezultat i një baze të re të një themeli të ri për Shqipërinë turistike. Një vend që krijon besim, dhe shfaq një potencial të jashtëzakonshëm.”