Poliklinika e Specialiteteve të Elbasanit, një investim i shumëpritur nga banorët e këtij qyteti, do të rehabilitohet këtë vit, me standardet më të mira, me investimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Drejtuesi politik i qarkut Elbasan Damian Gjiknuri i shoqëruar dhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiaku Gledian Llatja morën pjesë në prezantimin projektit të rikonstruksionit të Poliklinikës së Specialiteteve në Elbasan.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se falë kësaj ndërhyrje do të ofrohet jo vetëm një shërbim më i mirë për qytetarët, por dhe kushte të denja pune për mjekët. “Ky do të jetë një investim rreth 160 milion lek nga buxhetit të shtetit. Jemi të përgatitur që përveç investimeve në infrastrukturë për pacientët dhe për kushtet e punës për mjekët, janë 30 kabinete që janë në këtë poliklinikë ku kemi gjithashtu edhe pajisje duke filluar edhe nga grafia dhe pajisje të tjera dhe do të vijojmë investimet në pajisje që të mbyllim ciklin e kujdesit ambulator për pacinetin”- u shpreh Manastirliu.
Drejtuesi politik Damian Gjiknuri shprehu bindjen se ky investim do të sjellë një ndryshim tërësor. “Më vjen mirë që me fillimi i këtij viti na gjen me lajmet e mira që ndau me ne Ministrja. Realisht do të jetë një ndryshim rrënjësor në këtë godinë”, theksoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku Gledian Llatja falënderoi qeverinë për mbështetjen e këtij projekti, duke i dhënë zgjidhje dhe një kërkese të komunitetit elbasanas.
“Këtë godinë e kemi në qendër të qytetit. Kjo ka qenë një nga kërkesat e komunitetit znj. Ministrje dhe faleminderit që na mbështetët. Rikonstruksioni total i kësaj godine në qendër të qytetit ishte mëse i nevojshëm për të ofruar një shërbim sa më të mirë për qytetarët. Mjekët i kemi shumë të mirë, por kishte nevojë për këtë investim. Faleminderit për mbështetjen”, tha Llatja.
Rikonstruksion i plotë i godinës së Poliklinikës se Specialiteteve Elbasan, është një investim që do të realizohet gjatë këtij viti, investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Poliklinika e Elbasanit ofron shërbim shëndetësor ambulator të organizuar në 30 kabinete mjeksore me 19 specialitete të ndryshme të sëmundjeve interne.