Një iranian që i preu kokën gruas së tij 17-vjeçare është dënuar me tetë vjet burg. Imazhet e Sajjad Heydarit që mbante kokën e prerë të gruas pas të ashtuquajturës “vrasje nderi” vitin e kaluar shkaktuan zemërim të gjerë. Një zëdhënës i gjyqësorit tha se lehtësimi i dënimit ishte për shkak se prindërit e Monës e kishin “falur” atë për vrasjen në vend që të kërkonin hakmarrje.
Mona ishte e martuar me burrin e saj që në moshën 12-vjeçare dhe kishte sjellë në jetë djalin e tyre kur ajo ishte vetëm 14 vjeç. Mediat lokale raportuan se ajo ishte arratisur në Turqi pasi dhunohej nga bashkëshorti i saj, i cili kishte refuzuar vazhdimisht kërkesën e saj për divorc.
Ajo ishte kthyer në Iran disa ditë para vrasjes së saj shkurtin e kaluar, pasi kishte marrë garanci nga familja e saj se do të ishte e sigurt. Zëdhënësi i gjyqësorit Massoud Setayeshi u tha gazetarëve të mërkurën se Sajjad Heydari ishte dënuar me shtatë vjet e gjysmë burg për vrasje dhe me tetë muaj të tjerë për sulm.
Ai shpjegoi se vendimi ishte në përputhje me ligjin iranian, sipas të cilit vrasja me dashje dënohet me vdekje nëse familja e viktimës nuk e fal vrasësin. Kunati i Monës u dënua me 45 muaj për bashkëpunim në vrasje, tha ai. Vrasja e tmerrshme nxiti kërkesa të reja në Iran për një ligj që synon parandalimin e dhunës në familje.