Këshilli i Qarkut Elbasan, me propozimin e Myftinisë Elbasan ka dekoruar me titullin e Mirënjohjes 5 aktivistë dhe imamë të kësaj Myftinie me motivacionin: “Për kontributin e shquar në dobi të komunitetit si humanist, predikues të fesë, duke rritur dhe forcuar harmoninë fetare në Qarkun e Elbasanit”
Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri shpreh se harmonia e bashkëjetesa fetare janë pasuri kombëtare që mishërohen më së miri nga qytetarët e Elbasanit. Ai vlerësoi dhe drejtuesit fetarë për rolin e tyre.
“Dua të falenderoj mbi të gjitha liderët e këtij komuniteti sepse harmonia vjen nga lidershipi. Njerëzit vërtet lindin të barabartë, mund të kenë besime të ndryshme dhe bazuar në besime të ndryshme krijohen dhe organizime të ndryshme. I takon lidershipit tuaj, imamëve tuaj, dhe të gjithë shokëve të tjerë të cilët dinë të përçojnë frymën e bashkëpunimit dhe atë ç’ka mbetet më e shenjtë te organizata juaj: Besimi te vlerat njerëzore që mbi të gjitha burojnë nga zoti. Unë them që këtu është merita e madhe në Elbasan dhe që Elbasani për mendimin tim duhet të jetë krenar për këtë. Është një nga vlerat që elbasanllinjtë duhet t’ia përçojnë të gjithë vendit dhe të gjithë botës”, deklaroi Gjiknuri.
Gjiknuri i cili është dhe drejtues politik i qarkut u shpreh se besimi është dhe udhërrëfyesi i shoqërive në momente të vështira. “Patjetër Shqipëria krenohet me diversitetin e saj fetar dhe me harmoninë por mendoj Elbasani është tamam si ajo nusja e kësaj gjëje siç u përmend në ato dokumentarë. Më vjen mirë që ju dini të vlerësoni sakrificën dhe mundin e të gjithë paraardhësve që kanë kontribuar në këtë proces edhe në kohë të vështira. Një gjë e tregoi ajo kohë, që në fund të fundit flet për atë se si qëndron feja dhe besimi tek fenomenet shoqërore dhe politike. Shpesh herë politika i përzien gjërat, i trazon, zhvillimet historike këtë kanë treguar. Në botën e sotme ne kemi shumë nevojë për këtë udhërrëfyes. Zoti është feneri dhe busulla që të orienton në zhvillimet kaotike që gjithmonë i ka shoqëria njerëzore. Pavarësisht nga feja e rëndësishme është të kesh besimin në zot”, tha Gjiknuri.
Home Lajme Aktualitet Këshilli i Qarkut vlerëson me titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” 5 figura...