-Pse SEKRETE? – e pyeta. – Nuk më duken edhe aq SEKRETE.

Po mendoja se, më shumë sesa SEKRETE, mund t’u përshtatej përcaktimi TË PANJOHURA ose më mirë PAKTËNJOHURA. Të paktën në një pjesë të tyren. Megjithatë fjala SEKRET qëndronte përsosmërisht në vendin e vet, në disa raste. Sikurse ishte ai i historisë së At Nikolla Markut. Ai po, kishte rrëfyer një SEKRET të mirëfilltë, nga ata të vështirët madje dhe s’ishte e rastit që kjo fjalë qëndronte qysh në titullin e këtij teksti…

***

“…Duhet ta thuash, tha gruaja, ku i dihet edhe sa je.

Është SEKRET, tha Nikolla Marku.

Mos merr SEKRETE me vete, thashë unë.

Unë jam nipi i Kristofor Kisit, tha Nikolla Marku.

Kush është Kristofor Kisi, e pyeta.

Kryepeshkopi i Shqipërisë deri në vitin 1945.

Nuk e dija, thashë unë, qenke nip kryepeshkopi.

Askush nuk e di, tha Nikolla Marku.

Thuaja tamam, tha gruaja.

Mamaja ime ishte vajza ilegale e Kristofor Kisit.

Ça thua, pyeta unë.

Po, tha gruaja.

Kristofor Kisi nuk mund të deklaronte një fëmijë, sepse ishte kryepeshkop dhe nënën time ia dha një familjeje të pasur nga Berati, ku jetonte.

Po mamaja e dinte që ishte vajza e Kryepeshkopit të Shqipërisë?

E dinte, tha gruaja…”

E po, ja tek është një SEKRET në kuptimin e plotë të fjalës. Po të tjerët? Se janë edhe 40 rrëfime të tjera.

Ku janë SEKRETET?

Njëfarësoj, mund të quhet SEKRET edhe ajo historia fëminore mes Andi Bushatit dhe Ben Blushit.

Enkas Blushi e merr në telefon mikun e tij të hershëm për të folur për SEKRETIN e tyre të dikurshëm.

“Uuu po, e mbaj mend…” – i thotë, me mënyrën e tij tipike, Bushati, Blushit.

Dhe SEKRETI qenkësh shumë i papritur, i bukur, ngacmues ia vlen të rrëfehet. Meriton më shumë. Meriton një film apo meriton një libër të tërë. Apo ndoshta, i rrëfyer në këtë mënyrë, brenda faqeve të një libri me shumë rrëfenja të tjera mjafton, duke qenë zgjidhja më e mirë për ta zbuluar? Blushi kështu e ka menduar, fundja është rrëfimi i tij dhe ka zgjedhur ta shenjojë si një nga perlat e një kolane që qëndrojnë bukur varg njëra pas tjetrës.

Kësisoj, Blushi rrëfen se Bushati pat shkuar një herë në Dajt, me gjyshin, Hysni Kapon, në vilën e udhëheqjes. Aty, mbi tryezën e një zyre që e përdornin ata të udhëheqjes sa herë shkonin, i vogli sheh një bllok në kopertinën e të cilit shkruhej “Numratori telefonik SEKRET”. Ja edhe një herë fjala SEKRET. Një i rritur mund të kish preferuar t’i rrinte larg SEKRETIT. Sidomos atyre kohëve kur, më e mira ishte të mos dije shumë SEKRETE. Duhej t’u shmangeshe, si zjarrit që përndryshe të përcëllon. Në mos, një i rritur thjesht do të kish shuar një kureshtje për veten dhe aq. Një fëmijë, jo, nuk ndalet aty. Një fëmijë, sikurse edhe Bushati, nuk rri dot shpërfillës ndaj SEKRETIT. Kështu ai e mori bllokun, u fut poshtë tavolinës dhe i kopjoi numrat një e nga një. Të nesërmen, në shkollë e ndan SEKRETIN me shokët. A mund të mbahet për vete një SEKRET i tillë? Ç’kuptim ka një SEKRET kur të tjerët nuk e dinë se ti e ke? Madje as shokët nuk e mbajnë dot. E shpërndanë edhe ata dhe SEKRETI mori dhenë. U bë një katrahurë e madhe. Ndodhi hataja, prindërit i thërrasin në Ministri të brendshme. Këta shkuan pastaj, shtëpi më shtëpi dhe ua morën listat e numrave SEKRETË të gjithë fëmijëve trazovaçë e që nuk kuptonin shumë nga ajo që kishin bërë. Ia morën edhe Blushit. Por, kur SEKRETI merr rrugë vështirë të ndalet. Blushi nuk donte të hiqte dorë kollaj nga SEKRETI që kishte fatin ta kishte në dorë. Kur pat kopjuar numrat në bllokun e tij, i kishte mëshuar fort stilolapsit e ai kish lënë gjurmë në fletën e poshtme. Blushi u bie përsipër dhe ja tek rishfaqet SEKRETI, mes tyre më i jashtëzakonshmi, numri telefonik privat i Enver Hoxhës. Blushi i formon ato katër shifra. Një “alo” burri dëgjohet nga ana tjetër dhe fëmija e mbyll. Vazhdon sërish. Po fliste me Enver Hoxhën. Kështu derisa numrat SEKRETË që nuk janë më SEKRET, zëvendësohen me të tjerë duke krijuar një SEKRET të ri që nuk mund të zbulohej më.

Ja pra edhe SEKRETI tjetër, disi në kuptimin e saktë të fjalës. Po më? Në fakt ka edhe pse do të mjaftonin dy për t’i dhënë titullin një libri. Ama me librin “41 SEKRETE” të Ben Blushit jemi në letërsi. Personazhet janë persona të vërtetë dhe rrëfenjat po ashtu e megjithatë në letërsi jemi. Kështu edhe fjala SEKRET pavarësisht numrit të tyre që zbulohen, qëndron drejt si një koncept letrar edhe pse jo vetëm.

***

Kohë pasi librin e kisha mbaruar së lexuari e madje edhe intervistën me autorin e kisha bërë, zbulova një SEKRET tjetër, të pranishëm në faqet e tij.

-Është çdo gjë e përpiktë në rrëfimin e Blushit, – më tha Bojken Lako. – Po, po, krejt ashtu siç i kam thënë unë e ka shkruar ai. Ama më ka zbuluar një SEKRET.

-Po ç’sekret ka aty?! Janë gjëra që i dinë të gjithë, – u bëra kureshtare.

Kështu Bojkeni më tha se Blushi kish shkruar për aksidentin e tij me makinë.

“Isha me 100 km në orë, te Myslym Shyri”…

Fiks kështu ka ndodhur, kështu ia ka thënë Bojkeni, Blushit e kështu e ka shkruar ai. Ama ka aty një SEKRET. Bojkeni nuk i kish treguar gjë të ëmës, për të mos e bërë merak. Asgjë s’kish pësuar, për fat. Kishte shpëtuar vetëm me një dhëmb të thyer. Kështu që e ëma s’kish pse shqetësohej për gjë. Por më mirë të mos e dinte. Kurse rrëfimi i Bojkenit bëhet publik dhe e ëma e merr vesh SEKRETIN… Jo, i biri nuk do të kishte dashur.

***

S’kisha nga ta dija gjatë leximit të librit 41 SEKRETE se cilat mund të ishin SEKRETE të mirëfillta që rrëfyesit nuk do të kishin dashur të bëheshin publike e cilat ishin nisur të thuhen qëllimisht, qysh në krye të herës, me idenë e qartë për t’u bërë publike.

Thjesht po mendoja se disa gjëra për mua nuk ishin SEKRETE, se i njihja. Ia njihja, për shembull, historinë Vangjush Mios ama për herë të parë mësoja se monumentin e Stalinit, Julien Roche e paskësh blerë me qëllimin për t’ia çuar dhuratë të motrës që ta vendoste në oborrin e saj. E meqë motra nuk e deshi shtatorja mbeti në Tiranë. Nuk kishte qenë SEKRET i mirëfilltë, por kishte qenë, deri në botimin e librit, të paktën për mua, një informacion i mbuluar që zbulohet. E kisha ditur se shtatorja është vendosur në oborrin e vilës 30, ish vila e Mehmet Shehut, tashmë e restauruar, prej nga sheh bulevardin. Madje e pata fotografuar. Dija akoma më shumë detaje për rrugëtimin e kësaj shtatoreje që dikur mbretëronte e vetme në shesh derisa në vitin 1968 vendin ia mori Skënderbeu. Dija se atë kohë Stalinin e zhvendosën pak më tutje, në bulevard, përballë Leninit, ku shpesh si nxënës, mblidheshim mbrëmjeve të gjata të verës, derisa u hoq edhe prej aty me rënien e perandorisë komuniste. Dija se ishte vepër e Nikolai Tomsky-t, skulptor rus, më i dekoruari i epokës sovjetike, autor i shumë skulpturave monumentale që paraqisnin sidomos figura politike të kohës si Kirovi, Chernyakhovsky, Stalini apo Lenini. Madje këtë të fundit, të vendosur më 1970 në Berlinin lindor, e hoqën në 1992, ashtu sikurse Stalinin e Tiranës pas ngjarjeve të 2 korrikut 1990.

Por nuk dija megjithatë sa sa “SEKRETE”, nga ato që nuk shkruhen nëpë libra, por kalojnë gojë më gojë. Sidomos SEKRETE personazhesh anonimë me histori sa të papritura aq edhe intriguese…

Por mënjanë SEKRETEVE dhe zgjedhjes së kësaj fjale për të identifikuar një libër të tërë. Një titull është një titull, shpjegon diçka por jo gjithçka. S’ka pse. Mund të jetë një karrem dhe mirë është të jetë i tillë. Pas tij fillon depërtimi në faqet mes kapakëve të librit.

***

41 SEKRETE është libri më i ri i Ben Blushit, krejt i pangjashëm me të parët e ndoshta vështirë të gjesh ngjashmëri edhe jashtë krijimtarisë së autorit. Në gjenezë qëndrojnë fotografitë. Si një pasion i ri i zbuluar së fundmi, e mban të mbërthyer pas vetes shkrimtarin siç dinë të mbajnë mbërthyer pasionet. Me një aparat në dorë, Blushi, herë nisej drejt një figure që i tërhiqte vëmendjen rastësisht në rrugë e herë me qëllimin e qartë, drejt dikujt që besonte se i ofronte lëndë për objektivin e aparatit e aq për shkrimin.

Fotografoi shumë e bisedoi shumë. Lista është tejet e gjatë, por pastaj zgjodhi mes personave që do t’i shndërronte në personazhe por zgjodhi edhe brenda rrëfenjave. Zgjodhi ekstraktet dhe la mënjanë çfarë s’i duhej. Zgjodhi po ashtu edhe stilin që do t’u përshtatej rrëfenjave: një stil rrjedhës, ritmik, pa ndalesa të kota e pa ujra të tepërta. Edhe një pjesë të mirë të shenjave të pikësimit i shmangu duke përdorur veç sa i lipseshin për ta bërë të qartë rrëfimin. Dhe shkoi më në fund në takimin e radhës që këtë herë ishte me lexuesin.

Me vete ka personazhet:

Ka Edmond Tupen që i tha “Jam çifut, më fal hebre”;

Robert Ndrenikën që i tregoi për kritikat që mori për rolin e sekretarit të partisë në filmin “Nxënësit e klasës sime” me skenar të Kiço Blushit. Aty, në variantin fillestar, Ndrenika paskësh pasur një kapelë që ngjante me atë të Enver Hoxhës. A mos ishte një tallje me udhëheqësin? Paskësh qenë kaq serioz rreziku sa ekipit iu desh të rinisej për xhirime për ta fiksuar sekretarin tashmë pa kapele…;

Me vete ka Muntaz Dhramin që i tregon për kohët kur Enveri pozonte për të;

Ka Viktor Zhustin që i tregon jetën e vet të trazuar por edhe ëndrrën për të luajtur rolin eAli Pashë Tepelenës së romanit të Kiço Blushit, “Koka e prerë”. “Ma shndërro romanin e babait në dramë”, i kërkon aktori birit të shkrimtarit, meqenëse është edhe vetë shkrimtar por merr refuzimin e Blushit të ri;

Me vete ka vajzat e Vangjush Mios dhe Lasgush Poradecit që rrëfejnë për baballarët. Maria i rrëfen për të dashurën që pat zënë i ati në Dardhë ku shkonte për t’u kuruar për problemet që kishte me shpinën. Ishte piktore dhe ishte ajo që e la poetin. Akoma më shumë Maria i rrëfen edhe për takimin e piktores me të ëmën pasi kjo e fundit ishte bërë gruaja e Lasgushit: “Shyqyr që e more ti, – i pat thënë ish e dashura gruas, – se mua do të më kishte shkatërruar jetën”. “Lasgushi ishte poet, – thotë Blushi. – Ishte fantastik, – ia kthen Maria”;

Me vete ka Nikollë Lesin dhe historinë e “Kohës tonë” dhe të “Indipendentit”;

Ka Frederik Ndocin, Edvin Shvarcin, Robert Radonë, Helidon Halitin, Zef Shoshin, Dren Abazin, Monika Lubonjën… secilin me një histori që ata ia kanë rrëfyer Blushit dhe Blushi e rirrëfen duke bërë ndriçimet dhe errësimet e veta…

Dhe, si një margaritar ka historinë e takimit me Ismail Kadarenë.

Me vete ka anonimë me ngjarje që i tejkalojnë kufijtë e fantazisë sikurse është ajo e nipit të Faik Konicës. Quhet Eduard Duralliu, biri i Pranverës, vajzë e vëllait të Faik Konicës, grua e Gjin Ndojit. E kush e dinte? Biri nuk mban as emrin e të atit e as të nënës. As nuk i ka njohur prindërit. Për shkak të persekutimit, u rrit në jetimore por para se ta pushkatonin, i ati ia la amanet birin e vetëm një miku, mjekut nga Tirana, Bajram Duralliut që e birësoi. Vetëm në vitin 2000, disa muaj para se të vdiste, ati birësues i tregoi të vërtetën, SEKRETIN pra. Të atin ia paskëshin pushkatuar, por të ëmën, a mund ta gjente? E gjeti më në fund, e takoi të degraduar nga vuajtjet, sëmundjet, alkooli, teksa gjithë jetën e kish çuar si pastruese banjosh publike në Tiranë… mbesa e Faik Konicës që kishte studiuar në Francë…

Historia e Duralliut nuk mbaron këtu, ka edhe më, si një roman i jashtëzakonshëm, tronditës…

Historitë në përgjithësi nuk mbarojnë këtu.

Janë 41 histori e brenda tyre të tjera histori. Herë sekrete, herë jo dhe aq të tilla por ngacmuese; herë ngjarje të mbuluara me pluhur harrese që zbulohen; herë të vërteta që ngjajnë si trillime edhe pse nuk janë trillime;

herë me aktorë, këngëtarë, shkrimtarë, artistë…; herë me njerëz të zakonshëm që vejevijnë rrugëve të Tiranës apo qyteteve të tjera, padrejtësisht të pavënë re nga sytë e kalimtarëve; herë fetarë e herë ateistë; të tjera herë njerëz të keqkuptuar, të lumtur e të palumtur…

E gjitha është një panoramë mbresëlënëse e kohës sonë, e lidhur me fije të dukshme të padukshme me kohë të shkuara. Janë 41 SEKRETE në librin me të njëjtin titull të Ben Blushit./Pena.al