Ish-sekretarja e shtetit, Condoleezza Rice ka folur për luftën ruse në Ukrainë, duke bërë thirrje që forcat ruse të Putinit të ndalen, në mënyrë që të shmanget një konfrontim të drejtpërdrejtë midis SHBA-së dhe Rusisë.

Ajo argumenton në një apel të përbashkët me Robert Gates, sekretarin e mbrojtjes nën presidentët Bush dhe Obama, se dështimi për të rritur ndihmën për Ukrainën do ta inkurajojë Putinin të sulmojë aleatët e NATO-s.

Ata vlerësuan vendimin e SHBA-së dhe Gjermanisë javën e kaluar për t’i dërguar Ukrainës automjete të blinduara luftarake për herë të parë, por u kërkuan aleatëve të tjerë të NATO-s të bëjnë të njëjtën gjë dhe të shtojnë raketa me rreze më të gjatë veprimi, dronë të avancuar, rezerva të konsiderueshme municionesh dhe më shumë aftësi vëzhgimi.

Pa një përparim të rëndësishëm ushtarak, presioni perëndimor do të rritet për të negociuar një armëpushim që “do t’i linte forcat ruse në një pozicion të fortë për të rifilluar pushtimin e tyre sa herë që të jenë gati”, thanë ata.

Në një artikull të përbashkët për The Ëashington Post, ata shtuan: “E vetmja mënyrë për të shmangur një skenar të tillë është që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj t’i ofrojnë urgjentisht Ukrainës një rritje dramatike të furnizimeve dhe aftësive ushtarake.

“Shtetet e Bashkuara kanë mësuar në rrugën e vështirë, në 1914, 1941 dhe 2001 – se agresioni i paprovokuar dhe sulmet ndaj shtetit të së drejtës dhe rendit ndërkombëtar nuk mund të injorohen.” Ata përfunduan: “Është më mirë ta ndaloni atë tani, përpara se të kërkohet më shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO”.