Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot arritjet dhe sfidat e sektorit që ajo drejton.

Balluku u shpreh se falë menaxhimit të mirë, qeveria ia doli që të mbronte 1 milion e 90 mijë familje shqiptare si dhe 172 mijë biznese të vogla nga rritja e çmimit të energjisë.

“Kemi pasur tre vite thatësirë në krahasim me 10 vitet e fundit. Por ja kemi dalë të qëndrojmë me parashikimet. Edhe pse ka pasur çmime rekord, si 31 gushti që arriti në 1044 euro për megavator. Por me punën e mirë që u bë me kaskadën e Drinit dhe duke optimizuar rezervën energjitike dhe depozitimin e energjisë, ja kemi dalë që të mbronim qytetarët. 1 milion e 90 mijë abonentë familjarë dhe 172 mijë biznese të vogla. U mor edhe një vendim për biznesin në tensionin e mesëm 7 mijë e 200 prej tyre.” tha Balluku.

Sipas Ballukut, gjatë vitit 2022, përmes një retorike të madhe u bë një sensibilizim tek qytetarët për të kursyer energjinë.

“Në tetor arritëm 20% të ulje të konsumit. Një nismë modeste. Kemi subvencionuar familjet që kanë vendosur panele diellore. 2 mijë familjet e parë. Gjatë 2023 planifikojmë që ky numër familjesh të shkoi në 20 mijë. Apo 8 milion euro subvencionim nga qeveria. Do të gjejmë artifica të tjera për të mbështetur familjet.” shtoi Balluku.