Presidenti francez, Emmanuel Macron , i njoftoi homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Franca do t’i japë Ukrainës tanke të prodhimit francez, mësohet nga Elysée.

“Presidenti donte të përforconte këtë ndihmë ushtarake tashmë të dhënë për Kievin, duke rënë dakord të jepte tanke AMX-10 RC,” njoftoi presidenca franceze. “Kjo është hera e parë që tanke të dizajnuara nga perëndimi i janë dorëzuar forcave të armatosura ukrainase”, sqaroi Presidenca pas bisedës telefonike një orëshe mes dy liderëve.

Numri i tankeve dhe afatet e dorëzimit nuk u specifikuan. Sipas Parisit, Emmanuel Macron, i cili i konfirmoi Volodimir Zelenskit mbështetjen e palëkundur të Francës deri në fitore, në këtë mënyrë të tregon ndihmën e fortë dhe të vazhdueshme ushtarake franceze.

AMX-10 RC janë tanke të lehta, në rrota dhe jo në binarë, kështu që “lehtësisht të lëvizshëm”, “padyshim të vjetër por efektiv”, pohoi një këshilltar. Në ushtrinë franceze, ky sistem gradualisht do të zëvendësohet nga Jaguar. Ministrat e mbrojtjes të Francës dhe Ukrainës do të zhvillojnë bisedime shumë shpejt për të përcaktuar modalitetet e këtyre dërgesave, si për afatet ashtu edhe për numrin e tankeve, tha ministria franceze e Forcave të Armatosura për AFP. Të dy presidentët diskutuan edhe për situatën në fronte të ndryshme ushtarake, sipas presidences franceze.