Zamira Durda, një nënë që humbi djalin 7 vjeç në tragjedinë e Gërdecit e konsideron si një ‘vrasje për herë të dytë’ faktin se Fatmir Mediu është nën akuzë vetëm për shpërdorim detyre për tragjedinë e Gërdecit. Në një intervistë për ‘Sot live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Durda thotë se kështu nuk marrin drejtësi 26 jetët e humbura.
“Me sa informacion kam deri në këto momente për akuzë me shpërdorim e detyrës për ne kjo është një vrasje tjetër. Vetëm shpërdorim detyre nuk mund të jetë drejtësi. Kemi 26 jetë të humbura. Çështja ka për të kaluar me argumentime juridike”, tha ajo.
Sipas Durdajt duhet një hetim i thellë për korrupsion pasi babëzia për para solli atë tragjedi të para 15 vite që i mori jetën 26 personave të pafajshëm dhe shkatërroi jetën e dhjetëra të tjerëve.
“Unë e kam hapur vetëm me z. Mediu sepse kjo ka qenë e pezulluar. Pjesa tjetër është në dorë të hetuesve të SPAK, ende nuk i ka një hetim për korrupsion. Gjithçka ka ndodhur ka prej babëzisë për para. Korrupsioni dhe babëzia për para sollën atë fatkeqësi të madhe. Pinca, leva dhe sqepar ishin levat e punës. Ministria kishte për detyra të na mbronte dhe jo të na vriste. Ishte urdhri i ministrit që solli të gjitha këto armatime dhe i solli në atë që nuk i kishte kushtet. Unë akuzoj të gjithë piramidën shtetërore. Aty i kanë dokumentet dhe t’i nxjerrin kush i ka firmosur. Unë do t’i vazhdoj të gjitha hapat deri në Strasburg”, tha Zamira Durda.