Policia e Fierit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e mëngjesit të sotëm, ku në urën e Mbrostarit u konstatuan të thyer parmakët anësorë të të njërit krah ure. Uniformat blu kanë bërë me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur targa e një makine.
Bëhet fjalë për një mjet që është marrë me qira nga 26-vjeçari Mateo Lika, banues në Fier. Policia është munduar që të bisedojë në telefon me të riun, por numri rezulton i fikur.
Aktualisht pritet që në vendin e ngjarjes të shkojnë polumbarët e RENEA-s për të kontrolluar përgjatë lumit me qëllim gjetjen e makinës nëse ka rënë aty.
Njoftimi i policisë
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Mbrostarit”, janë konstatuar të thyer parmakët anësore të njërit krah të kësaj ure.
Në anë të rrugës është gjetur targa e një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket një automjeti të marrë me qera nga shtetasi M. L., 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur.
Priten polumbarët e RENEA-s për të kontrolluar përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit nëse ka rënë në lum. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.