Pas ditëve me mot të keq që kishin mbërthyer vendin për disa ditë, duket se situata në terren është drejt përmirësimit. Kështu shprehet ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se në Shkodër dhe në Lezhë nuk ka banesa nën ujë.
Ndërsa në zonat ku ka patur reshje dëbore, po punohet me borëpastruese për të hapur disa akse në veri si në Bogë-Theth, Qafë Thore- Theth, Dushaj-Lekbibaj.
Peleshi thekson se në akset kombëtare qarkullimi është i lirë.
Po kështu, në ndihmë të banorëve që kanë vështirësi janë forcat e Emergjencave Civile dhe efektivët e Forcave të Armatosura.
“Në të gjithë territorin e vendit ka patur përmirësim të dukshëm të situatës që u krijua gjatë këtyre ditëve nga moti i keq. Nuk ka banesa nën ujë në Shkodër e Lezhë, por forcat e emergjencave civile, të ndihmuara edhe nga efektivë të FA po qëndrojnë pranë banorëve në zonat, ku ka patur kërkesë për ndihmë.
Po punohet me borëpastruese nga firmat kontraktore dhe ARRSH për zhbllokimin e disa akseve në veri të vendit, në Bogë-Theth, Qafë Thore- Theth, Dushaj-Lekbibaj dhe kriposjen e disa akseve ku ka prani bore. Në të gjitha akset rrugore kombëtare qarkullimi është i lirë. Janë dërguar ndihma nga Rezervat e Shtetit si: ushqime, batanije, e çadra për familjet në 4 bashkitë e prekura nga tërmeti i 15 Janarit në qarkun e Dibrës”, shkruan ministri Peleshi në Facebook.