Nga Forumi Botëror Ekonomik i Davosit, kryeministri Edi Rama foli edhe njëherë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, i cili sipas tij në ditët e sotme ka ndryshuar rrënjësisht dhe në një farë mënyrë është bërë i padrejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor, që e shohin BE si të vetmen rrugë. Sipas kreut të qeverisë, nëse të njëjtat rregulla që po i kërkohen sot vendeve të Ballkanit do të aplikoheshin dhe më herë për të marrë dritën jeshile për integrim, shumë vende të unionit, mes tyre dhe nga ato që e kanë themeluar, nuk do të plotësonin dot kriteret.
“Nga Shqipëria dhe rajoni ka pasur shumë lajme të mira, por nuk kanë qenë të dukshme për Parlamentin Europian. Ne na u kërkua dhe morëm mbështetje për të bërë këtë pastrim të gjykatësve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë. Ne i hymë kësaj me besim të plotë dhe krenari se po bënim diçka që “Zotat” tanë europianë na e kërkonin dhe dëshironin. Dhe mendoje, pastrimi ishte aq radikal sa mbetëm pa Gjykatë Kushtetuese. 9 nga 11 gjykatës u larguan se nuk justifikuan dot pasurinë.
Dhe ne menduam se Bashkimit Europian do t’i pëlqente kjo gjë, por ata thanë ‘mirë, por nuk keni Gjykatë Kushtetuese”. Ne operuam pacientin me sukses, e kuruam, por BE e kërkonte që të vraponte sepse kishte zgjedhje. Dhe përpara se të bënin këto zgjedhje nuk mund të na jepnin dritën jeshile.
Procesi i integrimit ka ndryshuar plotësisht është bërë neurotik dhe i padrejtë çka është e mirë për ne pasi stërvitim nervat. Por nëse do të bënin të njëjtën gjë si po na e bëjnë ne, shumë vende të BE nuk do të ishin të afta të hynin vetë. Dhe nuk po flas për vende komuniste, por dhe nga themeluesit. Më besoni. Ky është realiteti”, tha mes të tjerash kryeministri.