Ditën e hënë ora 16:00 do të nisë sesioni i ri parlamentar për vitin 2023, ndërsa në fokus të tij do të jenë një serë projektligjesh të rëndësishme.
Ligji për bashkëpunëtorët e ish sigurimit, do të jetë prioritet për socialistët, ku personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të mund të zgjidhen më në asnjë post të rëndësishëm e aq më pak të kandidojnë për deputet apo kryetarë bashkie Kjo pikë i ka kaluar komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Një pikë shumë e rëndësishme është zgjedhja e emrit të ri të avokatit të popullit, pasi në mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakortësi gjatë vitit të kaluar. Procedura do të rinisi edhe njëherë nga e para, ndërsa dy ditë më parë kreu I grupit socialist Taulant Balla u shpreh se afati i opozitës kaloi, tanimë mazhoranca do të dëgjoj të gjitha grupet e interesuara për t’i dhënë vendit një figurë dinjitoze. Pavarësisht kësaj deklarate të gjitha palët duhet gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi për miratimin në parlament kërkohen 84 vota pro.
Dy nisma të tjera të rëndësishme që do të jenë prioritet për qeverinë janë edhe amnistia fiskale dhe pasaportat e arta. Pavarësisht se të dyja propozimet janë kundërshtuar nga ndërkombëtarët, Socialistët shprehen të vendosur për t’i shkuar deri në fund zotimit të tyre. Në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 Majit, në këtë sesion të ri parlamentar pritet të mos mungojnë as debatet mes forcave politike. (Shqiptarja.com)