Sesioni i ri parlamentar pritet të nisë javën e tretë të janarit. Bashkë me të pritet të shqyrtohen edhe një sërë projektligjesh. Socialistët nisën gjatë sesionit të kaluar miratimin e disa nismave që lidhen me bashkëpunëtorët e ish-sigurimit. Por jo të gjitha iniciativat ligjore u miratuan. Ndalimi i bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit nga kandidimi ose mbajtja e posteve publike ende nuk është shqyrtuar. Kjo pikë i ka kaluar komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Edhe pse ka gati një vit që është ngritur ky komision, ende nuk ka miratuar asnjë draft në funksion kryesisht të zgjedhjeve parlamentare. Në seancën e fundit të dhjetorit, mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakordësi për avokatin e popullit. Për këtë procedura duhet të rinis nga fillimi. Palët do të duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi kërkohen 84 vota, të cilat asnjë prej palëve nuk i zotëron.
Projektligji për kanabisin mjekësor u bë gati nga qeveria shqiptare vitin që lamë pas dhe pas procesit të konsultimit publik pritet të kalojë në komisionet parlamentare. Dy nisma të tjera që janë artikuluar në publik nga qeveria janë amnistia fiskale dhe pasaportat e arta. Të dyja janë kundërshtuar nga organizmat ndërkombëtar, por shumica socialiste shprehet e vendosur për t’u dhënë jetë të dyja inciativave.
Në këtë sesion të ri parlamentar pritet të mos mungojnë as debatet mes të dyja kahëve, pak muaj përpara garës elektorale të zgjedhjeve vendore të 14 majit.