Ajo që për rreth 30 vite shërbeu si vendgrumbullim i mjeteve të konfiskuara, shumë shpejt do t’i kthehet qytetarëve të Librazhdit si një hapësirë rekreative. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri, bashkë me kryetarin e Bashkisë Kastriot Gurra inspektuan punën që po bëhet për krijimin e kësaj hapësire të re rreth 7000 metër katror, ku hapësira e gjelbër kombinohet me ambientet çlodhëse dhe argëtuese për grupmosha të ndryshme.
“Do të japë një hapësirë tjetër jo vetëm të gjelbër, por argëtuese. Këtu mund të vijnë fëmijët, mund të vijnë familjarë e kombinuar dhe me atë pyllin e vogël që është ngjitur, megjithë këtë zonë kodrinore, që i rri mirë pamjes së mrekullueshme të Librazhdit. Është një projekt i mirëfilltë i bashkisë, një punë e mirë e cila po realizohet me shpejtësinë e duhur. Më vjen mirë që edhe kryetari i bashkisë, bashkë me institucionet qendrore bashkëpunuan për ta bërë të mundur, sepse këtu ka pasur dhe institucione të tjera që i kanë administruar këto prona. Tashmë ato i janë kthyer bashkisë së Librazhdit dhe bashkia i vë në funksion të qytetarëve duke i kthyer në ambiente çlodhëse” theksoi Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan.
Kryebashkiaku Kastriot Gurra tha se ky investim do të pasohet me disa ndërhyrje të tjera të rëndësishme si rikonstruksioni total i muzeumit dhe i disa institucioneve të tjera në qytet. “Ka qenë një vend grumbullimi për mjetet e konfiskuara nga Policia, këtu e 30 vite më parë. Çdo mjet që bllokohej në aksin nga Qafë Thana deri në Xibrakë, merrej dhe grumbullohej këtu. Ka qenë me ferra dhe mbetje gjatë gjithë këtij territori. Sot kemi bërë këtë investim. Nga ana tjetër po këtu do të fillojmë dhe rikonstruksionin total të muzeumit, të godinës së ish – sigurimeve shoqërore. Do të ndërtohet dhe xhamia në anën sipër. Do të thotë që e gjithë kjo pjesë këtu, do të rivitalizohet dhe do të jetë në funksion të qytetarëve”, tha Gurra.
Kreu i Bashkisë u shpreh se ndërhyrja parashikon dhe ndriçimin led të gjithë zonës dhe mbjelljen e pemëve dekorative. “Faza tjetër do jetë lidhja e këtij sheshi me të gjithë bllokun sipër. Ish– shtëpia e pritjes, muzeumi, xhamia, të jenë pak a shumë në të njëjtën zonë për ta rivitalizuar të gjithën”, tha kryebashkiaku Gurra.