Organizata Botërore e Shëndetësisë ka akuzuar Kinën për keqmenaxdhim të masave për të parandaluar përhapjen e Covid si dhe për mungesën e të dhënave mbi përphapjen e virusit pas heqjes së kufizimeve.
“Ne vazhdojmë t’i kërkojmë Kinës të dhëna më të shpejta, të rregullta dhe të besueshme për shtrimet në spital dhe vdekjet, si dhe sekuencën virale më gjithëpërfshirëse, në kohë reale,” tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për media në Gjenevë të mërkurën.
“OBSH është e shqetësuar për rrezikun për jetën në Kinë dhe ka përsëritur rëndësinë e vaksinimit, duke përfshirë dozat përforcuese, për të shmangur shtrimin në spital dhe përshkallëzimin e gjendjes që mund të çojë deri në vdekje të pacientit”-shtoi ai.
Duke folur më në detaje, drejtori ekzekutiv i OBSH-së për urgjencat shëndetësore, Mike Ryan tha se numrat e lëshuar nga Kina nuk paraqesin ndikimin e vërtetë të virusit për sa i përket shtrimeve në spital dhe vdekjeve.
Ai pranoi se shumë vende kanë parë vonesa në raportimin e të dhënave spitalore, por vuri në dukje se nuk raportohej numri real i vdekjeve nga covid.
Në dy javët para 5 janarit, Kina raportoi më pak se 20 vdekje nga rastet lokale me Covid, sipas shifrave të publikuara në faqen e internetit të Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) edhe pse shpërthimi i një vale të re covid ka pushtuar spitalet në të gjithë vendet.