Elbasan 13 Janar- Me investimet e fjalës së fundit të teknologjisë në shërbimin e Okulistikës në Spitalin Rajonal të Elbasanit është siguruar paketa e kataraktës dhe lentet falas për të moshuarit, me cilësi dhe afër vendbanimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi Spitalin e Elbasanit së bashku me Drejtuesin Politik të PS Damian Gjiknuri dhe Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja.
“Në total në vend janë 3700 ndërhyrje operatore të kryera vetëm për kataraktën, në të gjithë sistemin shëndetësor publik gjatë vitit 2022”- tha Manastirliu.
Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri tha:
“Çdo muaj këtu shihet ndryshimi dhe Spitali Rajonal i Elbasanit ka një transformim tërësor. Është një punë që s’ka përfunduar dhe vetë e thatë që ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë spital dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët”.
Investimi i fundit në shërbimin e Okulistikës vjen në serinë e investimeve të kryera në Spitalin Rajonal të Elbasanit, duke filluar nga Spitali i ri i Urgjencës dhe Patologjisë, Pediatria e re, rinovimi i aparaturave mjekësore të teknologjisë së lartë. Investimet do të vijojnë edhe me buxhetin e vitit 2023, me rehabilitimin e Poliklinikës së qytetit, qendrave shëndetësore dhe zgjerimin e gamës së aparaturave mjekësore të fjalës së fundit.
Sa i takon paketës së kataraktës, ajo ofrohet falas në tetë spitale, konkretisht në QSUT, Spitalin Universitar të Traumës, Spitalet Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Elbasanit, duke i krijuar mundësi të moshuarve kryerjen e ndërhyrjes dhe lentet falas në sistemin shëndetësor publik.