Papa Françesku u bëri thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të hyjnë në dialog duke shprehur keqardhje për valën e fundit të dhunës. Papa u shpreh e ishte i pikëlluar nga lajmi i palestinezëve të vrarë. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë operacioneve antiterroriste izraelite si dhe vdekjes së izraelitëve hebrenj në të shtënat në sinagogë ditën e premte.
“Me pikëllim të madh dëgjoj lajmet që vijnë nga Toka e Shenjtë… Spiralja e vdekjes, e cila po rritet çdo ditë, nuk bën gjë tjetër veçse vret besimin e vogël që ekziston mes këtyre dy popujve. I bëj thirrje dy qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar dhe u kërkoj që të gjejnë menjëherë, pa humbur kohë, rrugë të tjera që përfshijnë dialogun dhe kërkimin e sinqertë të paqes”, tha Papa.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu premtoi të shtunën një përgjigje “të fortë, të shpejtë dhe të saktë” ndaj sulmit të sinagogës në periferi të Jerusalemit, pasi ushtria e tij dërgoi më shumë trupa në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Të paktën shtatë izraelitë u vranë mbrëmjen e së premtes nga të shtënat në një sinagogë në Jeruzalemin lindor. Policia izraelite tha se sulmuesi priti derisa njerëzit të mbaronin lutjet e Shabatit dhe pastaj filloi të qëllojë me armë. Vetë sulmuesi u vra më pas në vendndodhje.