Nga Jakin Marena

Eshtë kryelajm tash dy ditë me radhë, akti i pastrueses Rozetë, e cila ka vjedhur një zyrtare të lartë. Dhe jo vjedhje dosido, por bëhet fjalë për gati gjysmë milioni euro, ndërsa zyrtarja u ka dalë për zot vetëm 120 mijë eurove të vjedhura nga Rozeta në kasafortën e saj.

Pjesa tjetër, përfshirë bizhuteri e sende të tjera me vlerë mbeten pa ‘pronar’. Dikush thotë se paratë e tjera janë vjedhur edhe në shtëpitë e zyrtarëve të tjerë të lartë, duke i dhënë hapësirë të plotë fantazisë dhe përmendur emrat e të gjithë politikanëve që i kanë inat respektivisht. Kështu bëhet në Shqipëri, mjafton të dalë në skenë dikush që i ‘shket këmba’, e menjëherë i ‘atashojnë’ të gjithë kundërshtarët si miq apo bashkëvuajtës për viktimën.

Për të mos u shpërndarë shumë në elementë të imtë të kësaj vjedhjeje të realizuar nga pastruesja Rozetë e djali i saj, ajo që mund të themi është se duhet të ndajmë disa të vërteta, që sado djegin, por janë të vërteta.

Në krye të herës, pastruesja Rozetë ka kryer një akt vjedhjeje, anipse dikush mund të thotë se ka vjedhur një zyrtare apo shumë zyrtarë e ish zyrtarë të lartë me akuzën se ishin pasuruar në kundërshtim me ligjin, përmes korrupsionit. Vjedhja mbetet vjedhje, edhe nëse një hajdut arrin të vjedhë ‘hajdutin’.

Pastruesja në fjalë ka thyer besimin e punëdhënësve, dhe njëherësh ka vështirësuar shumë punën e homologeve të saj, të cilat me këtë punë nxjerrin bukën e gojës dhe mbajnë familjet e tyre. Kjo do të jetë një kosto tepër e lartë për këtë kontigjent të vetëpunësuarish, pasi punëdhënësit do të maten shumë për t’i futur në shtëpi, për t’ju besuar çelësat e shtëpisë dhe për të lënë gjithçka në dorën e tyre.

Për më tepër që dhe amvisat ‘moderne’ shqiptare do të ftillohen e do të bëjnë dhe ndonjë punë në shtëpi, duke mbledhur kështu dhe burrat. Ndërsa ata që kanë tre, katër apo më shumë shtëpi dhe vila do të jenë të detyruar të punësojnë pastruese e punonjëse shërbimi.

Pastruesja Rozetë duhet të konsiderohet një hajdute sikurse është shfaqur sëbashku me djalin e saj të papjekur me të cilin realizoi vjedhjen. Nuk jemi në epokën e Robin Hudit apo të viteve ’30-të në Shqipëri, ku vjedhja konsiderohej një gjë normale. Madje nuk të jepnin as nuse në disa zona nëse nuk vidhje bagëti, me argumentin se nuk i jepet vajza dikujt që e lë të vdesë për t’u ushqyer. Jemi në epokën dixhitale, dhe këto gjëra kanë marrë fund. Kjo për pastruesen Rozetë.

Ndajmë të njejtin qëndrim, që hetimi duhet të thellohet akoma më tej për të gjetur burimin e këtyre parave që dispononte zyrtarja e lartë. Nuk duhet të gjykojmë askënd, nëse janë para të të afërmit të saj të mbajtura nën ruajtje, siç pretendon ajo, apo janë para të siguruara nga abuzimi me detyrën, në postet ku ka qënë dhe vijonte të ishte siç e akuzojnë kundërshtarët.

Fakti që e denoncoi vetë vjedhjen e kasafortës ku kishte paratë, nxjerr në pah dy elementë, për ne thelbësorë: Ose paratë i ka të arsyetuara siç e pretendon dhe vetë ndaj e ka bërë publike vjedhjen duke e denoncuar në organet ligjzbatuese, ose është tepër naive për të mos thënë budallaçkë.

E themi këtë, sepse kemi dëgjuar, dhe duke qënë se jemi marrë me gjetjen e lajmit për gati 30 vite me radhë, janë grabitur shumë shtëpi politikanësh dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim të këtij lloji. Të paktën 7 vila politikanësh të lartë në Gjirin e Lalzit janë vjedhur nga punonjësit e shërbimit apo në bashkëpunim me ta dhe nuk ka pasur asnjë denoncim. Kanë qënë politikanë të të gjithë krahëve.

Madje kur pastruesja vodhi shtëpinë e një politikani shumë të lartë, po shumë të lartë ama, në Lalz, jo vetëm që nuk u bë asnjë kallzim në organet ligjzbatese, por u krye “hetimi” nga vetë i dëmtuari dhe autorja e vjedhjes tregoi jo vetëm sa kishte vjedhur në atë vilë, por dhe çfarë kishte vjedhur në fëmijërinë e largët, që nga lapsi i shoqes së bankës e deri tek kumbullat e komshiut. I blenë një shtëpi dhe ajo nuk flet më. Të paktën kështu thuhet sipas ‘legjendave’ urbane.

Janë grabitur shtëpitë e ish ministrave në Tiranë, vilat në bregdetin e Jugut duke marrë thasë me para dhe as që është dëgjuar për ndonjë denoncim të tillë. Eshtë respektuar “kodi i heshtjes” nga të vjedhurit, hajdutët por dhe politikanët me njëri tjetrin. Këtu janë në aleancë të gjithë, tjetër gjë është kacafytja në parlament e në ekranet televizive. Pra ka pasur vjedhje, por deri më tani s’ka bërë zë askush, madje jo më te denonconte. Dhe media, tek tuk ka folur për këto ngjarje!

Po çfarë ndodhi me arrestimin e pastrueses hajdute Rozetë, e cila u denoncua nga zyrtarja e lartë për vjedhjen e kasafortës me 120 mijë euro brenda dhe disa bizhuterive e sendeve të shtrenjta në shtëpinë e kësaj të fundit, në kohën kur ajo nuk gjendej në banesë?!

Menjëherë e kapi ‘filmin’ opozita duke e bërë kauzë dhe përgjithësuar me argumentin se kur ka aq para “nën dyshek” një ish drejtore kabineti e një ministri, imagjino sa para do të kenë rangjet e larta të drejtimit të ministrisë, deri tek vetë ministri. Por opozita u kujdes fort që të përmendej sa më pak emri i ministrit. Shigjetat u drejtuan te kryeministri, a thua ai mban përgjegjësi dhe për drejtorët e kabinetit të ministrave. Gjithnjë nëse zyrtarja e lartë nuk justifikon paratë e vjedhura nga pastruesja Rozetë themi. Kryeministri tregoi derën e drejtësisë, s’dha mbrojtje politike për askënd, duke vazhduar trendin e tij të konsoliduar tashmë sipas të cilit gjithkush duhet të përgjigjet vetë para drejtësisë për shkeljet.

Teksa analizojmë me detaje situatën shohim se kauza e opozitës sikur “kërcet’ në këtë rast. Pasi ngre pyetjen gjithkush: Me çfarë rrojnë këta politikanët e opozitës, teksa kanë gati 11 vite që presin ‘thumba’ jashtë pushtetit. Me rrogën e deputetit një pjesë, ndërsa të tjerët me ajër?

Këtu ka vend për diskutim. Pasi një deputete e PD dorëzoi mandatin me argumentin se nuk mbante dot familjen me paratë që merrte nga Kuvendi si përfaqësuese e popullit. E tha dhe ish kryetarja e LSI në mënyrë publike, që një rrogë deputeti nuk të del. Pa shpjeguar se me çfarë rron dhe vetë ajo, tashmë që dhe bashkëshortin e ka thjeshtë kryetar partie në opozitë. Dhe që nuk ka të deklaruar asnjë biznes, zyrtar themi. Pa llogaritur akoma më tej se disa shtëpi e vila që ka në zotërim duan mirëmbajtje, punonjës shërbimi, duhet paguar energjia, uji, duhen lyer herë pas here. Po dhe ndonjë krasitje për pemët dekorative. Janë shpenzime marramendëse këto.

Pavarësisht këtyre pyetjeve, opozita duket sikur e ka kapur kauzën spontane dhe po mbahet fort tek pastruesja hajdute Rozetë, të cilën e kanë shpallur heroinë të ditës. Madje e konsiderojnë si një Robin Hud, në versionin femër që po ‘lufton’ politikanët e korruptuar të qeverisë, duke u vjedhur shtëpitë.

Ishte si një ‘shpëtim’ për opozitën bërja publike e këtij rasti teksa është e mbërthyer fort nga kriza e lidershipit brenda saj, e izolimit për shkak të shpalljes së liderit të opozitës ‘non grata’ nga SHBA po për korrupsion të theksuar dhe liderit tjetër të izoluar e të trajtuar si ‘non grata’, pavarësisht se nuk ka shpallje zyrtare.

Gjithë kjo situatë, tregoi njëherësh dhe gjendjen e mjeruar në të cilën gjendet opozita shqiptare vetëm pak muaj para zgjedhjeve për pushtetin vendor të 14 majit, dhe pa asnjë shans fitoreje. “Nderin” për disa ditë ia shpëtoi hajdutja Rozete, e cila ka fituar legjitimitetin tek opozita si “qëndrestare e madhe në luftën kundër korrupsionit qeveritar”. Po sa zgjat? Kjo ha diskutim. Dhe “plasi” sot pasdite, pasi Alibeaj përjashtoi nga grupi parlamentar i PD dhe 4 deputetë të tjerë të Berishës për sulmin e 8 janarit në seli. S’ka kauzë që e shpëton opozitën e Berishës.

Por arrestimi i hajdutes së banesës së zyrtares së lartë, e denoncuar nga vetë kjo zyrtare, ka vënë në lëvizje dhe SPAK e prokurorinë shqiptare. Duke i dhënë një ‘as’ për ta hetuar, megjithëse ajo e ka pranuar vetë aktin e vjedhjes. Institucioni më i lartë i hetimit duhet të hetojë rreth origjinës së parave të tjera, janë mbi 400 milionë euro, që për nga pronësia deri më tani mbeten ‘jetime’. Këtu fillon puna e SPAK, deri tek ekspertiza e thelluar nga partnerët amerikanë, në laboratorët e FBI-së.

Pra duke qënë se s’ishte ndonjë zbulim i organeve ligjzbatuese evidentimi i këtij rasti vjedhjeje, pasi erdhi nga denoncimi i vetë zyrtares së lartë, SPAK dhe prokuroria duhet të shtyhen akoma më tej në hetime, për të shkuar tek paratë e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë që janë të fshehura ‘nën dyshek’. Mjafton të zbresin në terren përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit apo segmenteve të tjera ligjzbatuese, e do të përballen me pasuri të ish zyrtarëve e zyrtarëve të lartë, që të luajnë nga mendja. Paçka se deklarojnë vetëm rroga shteti si të ardhura themeltare të jetesës së tyre.

Pra SPAK dhe organet e tjera ligjzbatuese, pavarësisht se nuk është zbulim i tyre rasti i hajdutes Rozetë, duhet të bëjnë punën e tyre. “Nderi” që iu bë këtij institucioni të lartë të hetimit në Shqipëri, është se rasti iu servir ‘llokum’ nga të tjerë rasti. Të hyjnë më thellë, të hetojnë.

Tani ta përpunojë këtë rast dhe të shpëtojë ‘nderin” e tyre intitucionet e drejtësisë, pasi ka mbi 3 vite që flejnë mbi dosjet e rënda të korrupsionit dhe të krimit në Shqipëri. Nuk mund të kalohet një vit duke u justifikuar me hetimin e këtij rasti, duhet thelluar por dhe vijuar me dosjet e tjera të rënda që presin të hapen dhe të shkojnë në gjykatë për t’u gjykuar.

Lamë për në fund mediat, të cilat tashmë e kanë bërë ‘trend’ që pas ndodhjes së ngjarjes, fillojnë dhe e komentojnë në të gjitha planet, duke përmendur elementë aq të hollësishëm sa të bën të mendosh se është ditur shumë e shumë kohë më parë ky fakt, por nuk është publikuar kushedi për çfarë arsyesh. Dhe në një vend normal kjo quhet autocensurë, diku tjetër quhet mungesë këllqesh, diku tjetër ka dhe një fjalë akoma më të rëndë.

Për dy ditë hajdutja Rozetë dhe denoncimi i zyrtares së lartë që i vodhën 120 mijë euro në banesë, është bërë ‘hit’ në media. Eshtë normale, është kryelajm, teksa brenda ka një zyrtare të lartë të grabitur. Apo të tjerë që mendohet të jenë grabitur por që nuk kanë bërë asnjë denoncim nga frika se zbardhen pasuritë. Pothuajse në të gjitha ekranet, kishte emisione televizive pikërisht me këtë temë, ku gazetarë, analistë dhe ekspertë thanë fjalën e tyre. Deri këtu normale.

Hajdutja Rozetë kishte dalë si me porosi në këto momente të pas ndërrimit të viteve, ku s’kishte lajme. As politike, pasi opozita është ndarë në shumë copa dhe nuk përbën lajm më. Por as lajme kronike, nga ata të mëdhenjtë ama, pas Ervis Martinajt, siç cilësohet dhe “mbreti” i lojrave të fatit, i cili është zhdukur. Dhe me zhdukjen e tij, ka këmbëngulje të dinë nëse është vrarë apo është…vrarë, pak herë thuhet nëse është gjallë, pra me zhdukjen e tij nuk ka asnjë vrasje apo përplasje mes bandave të rrezikshme. S’ka lajme të mëdha, ku të mbahen emisionet televizive dhe debati i panelistëve. Që janë shtuar shumë në përpjestim të drejtë me emisionet!

Dikush nga panelistët tha se tashmë meqë kanë mbaruar punë me Martinajn, kemi një bandë shumë të fuqishme që ka zaptuar territoret ndaj kanë pushuar dhe vrasjet dhe përplasjet mes bandave. Ha diskutim kjo, pasi me çfarë kemi lexuar dhe parë, kur një bandë zhduket vendin dhe territorin e saj e zë një bandë e re, që fillon luftën për zgjerim. Ndaj duket pak i besueshëm një argumentim i tillë, pasi me sa dimë bizneset e Martinajt vijojnë me kapacitet të plotë punën. E thonë dhe vetë panelistët se nuk ka ngushtim të bizneseve të Martinajt apo uzurpim.

Madje andej nga vij unë, pushimi i përplasjeve me armë nuk vjen nga eleminimi i kreut të fisit apo bajrakut me famë, ngjashëm me të “fortin” e sotëm, por vjen kur ai lëviz jashtë kontrollit të gjithkujt, dhe të shtetit, në mënyrë të padukshme. Dikur thonin se i frikësohen atij që “është në mal”. Kjo na vë në shumë dilema, nëse Ervis Martinaj është i vdekur apo është i gjallë, apo lëviz ndoshta dhe nëpër Tiranë. Përderisa s’kemi një kufomë, mund të themi se ka dhe operacione plastike. Ndaj ka mungesë lajmi, dhe dalja në skenë e pastrueses hajdute Rozetë sikur shpëtoi “nderin” e humbur dhe të panelistëve që janë ‘atashuar’ pranë emisioneve televizive, të cilëve u kishte rënë audienca rëndshëm.

Ajo që themi në fund të herës është se organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre, të hetojnë deri në fund të gjitha paratë e pista, qofshin nën ‘dyshek’, qofshin të përkthyera në vila e shtëpi në emër të të tjerëve, qoftë në udhëtime të shtrenjta, operacione plastike, qoftë dhe në biznesin e mermerit, boronicave, kromit, inerteve apo biznese të tjera, të ngritura me paratë e shqiptarëve.

Edhe media e ka për detyrë t’i zbardhë ndonjë gjë përpara se të kapen në flagrancë autorët, jo të ‘meken’ para liderëve politikë, duke mos e pyetur as për këto fakte apo dyshime që dalin menjëherë pasi dikujt i “rrëshqet” këmba. Po kështu dhe drejtësia, jo vetëm duhet t’ua përmendë emrin, por dhe t’i marrë nën hetim “dionzaurët” e politikës shqiptare.

Megjithatë pastruesja Rozetë u dha pak “frymëmarrje” të gjithë këtyre kategorive, opozitës, drejtësisë e panelistëve. Por në Shqipëri zgjat pak, ndaj duhet pritur deri në “gjahun” e radhës.