Deputetja e PS ne Tiranë, Blerina Gjylameti ka dënuar përpjekjen e deputetëve të PD-së, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, per të bllokuar punimet e Bashkisë së Tiranës në rrugën “ Xhon Belushi”. Në një status në rrjete sociale, Gjylameti nënvizon se PD e ka në gjak bllokimin.

“Bllokuesi i Unazës te Astiri, bllokuesja e shkollës “Jeronim De Rada” dhe bllokuesi me pistoletë i këndit të lodrave te Liqeni – tre figurinat e PD që levizën si ushtarë sulmi nga Saliu – u përpoqën sot të bllokojnë punimet për asfaltimin e rr. “Xhon Belushi”, një rrugë kaq shumë e kërkuar nga komuniteti i Njësisë 4.
Në vend t’u thonë “Ju lumshin krahët” punëtorëve, vijnë vetëm për të bllokuar, sabotuar e penguar. Këtë e kanë në gjak! Ja pse Njësia 4 nuk i voton më bllokuesit, por punën, bashkimin e progresin”, thekson deputetja Gjylameti.
Deputetja socialiste shpreh bindjen se dhe në 14 maj, qytetarët e Tiranës do ta ndëshkojnë politikën e bllokimit të PD-së me votë. “E patën Tiranën 4 vjet dhe treguan se puna e vetme që dinin të bënin ishte gjumi. Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë do të dinë ta ndëshkojnë këtë politikë përçarese në 14 maj, do t’i thonë jo gjuhës së urrejtjes dhe sabotimit. Tirana ka përqafuar punën dhe përparimin”, shkruan Gjylameti.