Situata e përmbytjeve e shkaktuar nga moti i keq në disa zona të Kosovës është drejt normalizimit. Ditën e premte nuk ka pasur reshje shiu, kjo i ka lejuar autoritetet të punojnë sot në largimin e ujit nga banesat e prekura nëpërmjet pompave.
Në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, Kosova ka kaluar të premten një natë të qetë.
“Njësitet profesionale të AME-së po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet. Aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët”, thuhet në njoftim.
Përmbytjet në Kosovë kanë prekur më së shumti komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut dhe Istog, duke dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturën rrugore. Zyrtarë të komunave më të prekura nga vërshimet kanë thënë të premten se situata është më e qetë. Qeveria e Kosovës dhe ministria e Punëve të Brendshme thanë më 19 janar se kanë ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.