Një plagosje me armë gjahu është shënuar mëngjesin e sotëm në Sukth të Durrësit. Policia bën me dije se një person me iniciale G.H ka plagosur me armë gjahu një 28-vjeçar me iniciale L.P. Plagosja ka ndodhur për motive të dobëta ndërkohë që autori është arrestuar pas një ore ndjekjeje nga policia.

“Në vijim të informacionit të dhënë pak minuta më parë, sipas të cilit, rreth orës 09:40, në vendin e quajtur “Kthesa e Ariut”, Sukth, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi G. H. ka plagosur me armë gjahu (çifte), shtetasin L. P., 28 vjeç, ju bëjmë me dije se:

Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të shtetasit G. H. dhe pas 1 orë ndjekje, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit G. H., 32 vjeç, banues në Perlat, Manzë. Ndërkaq, i plagosuri, shtetasi L. P. aktualisht merr ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “, njofton policia.