Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar sot 555-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani shprehet se “555 vjet më parë u përjetësua kryetrimi shqiptar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, mbrojtësi i paepur i qytetërimit evropian në njërën prej portave kryesore të Perëndimit, në Adriatik”.
Presidentja thekson se “pas vetes na e la projektin e parë evropian të shqiptarëve dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme ushtarake e diplomatike, e cila është shndërruar në model frymëzues për çdo shqiptar”.
“Me emrin dhe namin e tij lidhet secili projekt shtetëror e politik, me modelin e përbashkimit, të kultivuar me aq mençuri. Me heroin tonë kombëtar lidhet secila përpjekje politike jona për konsolidim kombëtar e secila përpjekje për liri. Ai është frymëzim i përhershëm, është shenjë dalluese e identitetit tonë kombëtar. I përulemi veprës dhe heroizmit të tij”, u shpreh Osmani.