16 orë e 25 minuta ka zgjatur mbledhja maratonë e kryeministrit Edi Rama me ministrat, në të cilën sipas kreut të qeverisë është kaluar në skaner çdo sektor për vitin që kaloi, ndërsa janë miratuar objektivat konkretë të këtij viti, i cili do të jetë më pranë njerëzve, duke u nisur gjithnjë nga ata më në nevojë.

Në fund të fjalës së tij në mbledhjen maratonë, kreu i qeverisë ka një synim të qartë sa i takon parashikimit për fitimin e zgjedhjeve lokale. Kreu i qeverisë dëgjohet teksa iu thotë ministrave se ‘mbi bazat e 2022 kemi arsye të besojmë se 2023 do ta bëjmë tërmet’, duke nënkuptuar fitimin me rezultat të thellë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Pas dy ditëve të gjata analize të punës dhe prioriteteve të qeverisë përgjatë 2022-it, përmes postimeve në rrjetet sociale, Rama ka ndarë me publikun objektivat dhe prioritete për vitin e ri 2023. Për Ramën pensionistët dhe kategoritë e personave në nevojë mbeten prioritet i qeverisë, e sipas tij të ardhurat që do sigurohen nga taksa e jashtëzakonshme e qeverisë do shkojnë për këto kategori.

Nga ana tjetër, Rama e ka cilësuar një histori suksesi fiskalizimin. ‘Deklarimet, Paga dhe Sigurimet janë rritur me 7% vetëm nga formalizimi’, ka thënë kreu i qeverisë.
Për arsimin, kryefjalë e punës mbetet digjitalizimi sipas kreut të qeverisë në janar nis programi i kodimit për 1200 nxënës, ndërsa 984 laboratorë ‘smart’ do të ndërtohen brenda vitit 2024. Rama vlerësoi dhe punën e bërë në sektorin e shëndetësisë, veçanërisht sa i takon vaksinimit. Për kreun e mazhorancës, në vitin që lamë pas, ecuri të mirë ka pasur bujqësia, sidomos me rritjen e ndjeshme të eksportit
Lidhur me sigurinë në vend, Rama krahason shifrat e 2022 me ato të 2013 kur PS erdhi në pushtet, duke nënvizuar se në vitin që lamë pas u shënuan 43 vrasje, nga 112 që janë regjistruar në 2013. Sa i takon sportit, Rama tha se brenda pranverës do të nisin 3 konkurse ndërkombëtare për ndërtimin e stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë, ndërsa la të hapur edhe mundësinë e rikonstruksionit të stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë.

Pas këtij takimi të parë dyditor me ministrat për vitin 2023, kryeministri Rama të premten do të takojë drejtuesit politikë të PS në qarqe, ku diskutimi do të fokusohet në përgatitjet për zgjedhjet lokale të 14 majit.