Vlorë, 31 Janar- Edhe një tjetër investim me standarde bashkëkohore përfundon në Spitalin Rajonal të Vlorës, me rindërtimin e Farmacisë dhe Dispancerisë së re, teksa vijon puna për një tjetër investim që synon rritjen e kapaciteteve, sistem të ri triazhimi dhe transformimin tërësor të shërbimit të urgjencës përpara fillimit të sezonit turistik. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektuan Spitalin Rajonal të Vlorës, ku panë nga afër investimet e reja.
“Me këtë investim jemi në kushte me standarde shumë të mira të ruajtjes së barnave. Struktura tjetër e rehabilituar është dispanceria, një tjetër strukturë e rëndësishme që do të ofrojë shërbime edhe për sëmundjet e ndryshme infektive. Në kuadër të pandemisë kjo ishte dhe një ndër prioritetet që i vendosëm vetes për të krijuar hapësirat e nevojshme”-tha Ministrja Manastirliu.
Investimi për rehabilitimin dhe fuqizimin e shërbimit të Dispancerisë dhe Farmacisë në Spitalin Rajonal Vlorës është një investim i buxhetit të shtetit, që garanton ofrimin e shërbimeve ambiente moderne, me standarde evropiane dhe me pajisje të teknologjisë së fundit në fushën e farmaceutikës dhe radiologjisë.
Një tjetër investim që është duke u kryer aktualisht në këtë spital, një projekt ambicioz që synon të vendosë një standard bashkëkohor për qytetarët është dhe fuqizimi dhe modernizimi i shërbimit të urgjencës.
Përveç rikonstruksionit të ambjenteve të urgjencës do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar.
Përfundimi i zbatimit të këtij projekti përkon me fillimin e sezonit turistik ku Spitali i Vlorës, si spitali më i madh për rajonin e jugut është një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë.
Home Lajme Aktualitet Rama-Manastirliu: Standarde evropiane në Dispancerinë dhe Farmacinë e Spitalit të Vlorës,...