Nga Jakin Marena
Aq shumë e kemi dëgjuar përgjatë një viti nga opozita fjalën ‘revolucion’, sa po ia ka kaluar dhe kohës së diktaturës komuniste, e cila në themel të pushtetit të vet kishte pikërisht revolucionin.
Nëse në kohën e Enver Hoxhës quhej revolucion popullor, sipas modelit komunist “lufta për të mbrojtur pushtetin dhe pavarësinë e popullit”, tani versioni i ri që ka zënë vend në terminologjinë politike shqiptare quhet “Revolucion demokratik”, e sipas ideatorëve të tij përgatitet për të “sjellë qytetarët qeverisjen e vendit dhe për të mbrojtur po qytetarët si dhe sovranitetin e vendit”.
Të parin e artikulonte Enver Hoxha dhe pasuesit e tij, përfshihet dhe ish kardiologu dhe ish sekretari i PPSH Sali Berisha në këtë kontigjent pasuesish për 25 vite me radhë. Ndërsa versionin e ri dhe më ‘modern’ tashmë e artikulojnë dy liderët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Me fjalë të ndryshme, por që kanë të njejtën rezultante.
Regjimi i komunizmit fliste për klasën punëtore dhe kooperativiste në pushtet, liderët e stampuar në krye të opozitës Berisha e Meta, e përmbledhin klasën punëtore dhe fshatarsinë, në një fjalë të vetme, “qytetarët”, ndërsa pjesa tjetër është thuajse e njejtë.
E themi këtë sepse kanë në “themel” të luftës opozitare “pavarësinë e vendit”, pra jo varësinë nga të huajt, por që i kanë dhënë një term më modern, duke e quajtur “sovranitet”. Ndonëse kur je në një marrëveshje, në një organizate të përbashkët rajonale, europiane dhe botërore, siç është anëtarësia jonë në NATO apo dhe aspirata për të qënë pjesë e BE, është në një farë mase humbje sovraniteti. Pasi i nënshtrohesh një marrëveshjeje të përbashkët, që nuk të lejon të ndërmarrësh veprime individuale si shtet apo dhe si rajon. Me një fjalë s’bëhet gjë pa pyetur as nga të mëdhenjtë, e jo një vend i vogël si yni.
Por që të kthehemi tek argumenti ynë, ka gati një vit që kreu i “Rithemelimit” Salli Berisha shpalli ‘nismën’ për organizimin e një revolucioni opozitar për rrëzimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, argumentin se pushteti u duhet kthyer qytetarëve shqiptarë.
Kësaj thirrje iu bashkua dhe ish presidenti Ilir Meta, që një ditë pas lënies së zyrës presidenciale, shkriu partinë e tij LSI, në krye të së cilës kishte lënë bashkëshorten Monika Kryemadhi, dhe themeloi Partinë e Lirisë, duke u vetëemëruar kryetar i saj e duke emëruar njëherësh dhe strukturat e forumet drejtuese të kësaj partie.
U bënë më vonë dhe zgjedhje, por me sa duket “googlat” nxorën fitues të njejtët persona që kishte emëruar Meta. Eshtë diktat në parti, që e trajton si pronën e tij, apo kanë një mendje me “liderin” dhe anëtarësia e Partisë së Lirisë, këtë mund ta ndajnë qytetarët. Por Meta, teksa ishte tërhequr nga thirrja ndaj qytetarëve për të rrëmbyer sfurqe dhe kosore dhe rrëzuar qeverinë, ishte bashkuar me Berishën për të bërë ‘revolucionin’ në vjeshtë.
Berisha dhe Meta, njëri pasi mori shumicën e PD përmes “Rithemelimit” dhe tjetri pas mori në “dorëzim” partinë, por me emër të ndryshuar, bënë ‘haram’ dhe pushimet e verës së kaluar, me zbritjen në bazë për të organizuar “revolucionin e shtatorit” i cili sipas deklaratave të tyre ‘do të fshinte nga faqja e dheut Edi Ramën dhe regjimin e tij”.
U bënë shumë përpjekje, u derdh shumë ‘djersë’, u ‘sakatuan’ dhe një pjesë e gazetarëve që i ndoqi këto përpjekje të Berishës, Metës dhe mbështetësve të tyre, por revolucioni i premtuar i opozitës nuk ndodhi as në shtator, as në tetor, as në nëntor dhe as sot e kësaj dite.
U bënë disa protesta, të cilat morën cilësimin si ‘tubimet më të mëdha të zhvilluar në këtë vend”, pavarësisht se kemi rezerva për numrin e pjesëmarrrësve dhe mesazheve të përcjella këtu përpos deklaratave kërcënuese ndaj qeverisë, në nëntor, në fillim të dhjetorit, por Edi Rama vazhdon dhe sot e kësaj dite të jetë kryeministër. Madje më i fortë se kurrë.
Dhe këtë nuk e themi ne, por e thonë të gjitha sondazhet serioze të zhvilluara deri më sot në këtë vend, duke evidentuar se ‘paketa elektorale’ e mbështetësve të PS, prej plus minus 800 mijë mbështetësish nuk ka lëvizur, duke i garantuar Ramës fitoren e radhës, jo vetëm për zgjedhjet e pushtetit vendor më 14 maj, por dhe fitoren në zgjedhjet parlamentare, dy vite më pas.
Opozitës po i ndodh si atij njeriut ‘fenomen’ shqiptar që dinte përmendësh të gjitha datat e rëndësishme për Shqipërinë dhe Europën, vendet ku ishin zhvilluar, sipërfaqet e këtyre vendeve, klimën, udhëheqësit e rinj dhe të vjetër, qytetet kryesore dhe kur e pyetën se “ku është zhvilluar Lidhja e Prizrenit”, ai u dorëzua: Kjo më paska shpëtuar, këtë nuk e di. Dhe plasi nga marazi.
Me këtë steriotip flet dhe lidershipi i opozitës që është tepër e karikuar në fazën e përgatitjes së ‘revolucionit’, duke mbushur ekranet televizive me paralajmërime se “ky uragan popullor do të fshijë Ramën dhe ministrat e tij”, dhe kur afrohet dita e “Revolucionit, ose nuk zhvillohet fare asnjë tubim i thjeshtë sepse nuk mbledhin njerëz ose dhe kur e zhvillojnë janë me pjesëmarrje tepër të ulët, aq sa bëhen qesharake dhe janë shumë larg me atë çfarë është premtuar.
Eshtë e tepërt të ripërsërisim se Berisha e Meta nuk kanë asgjë të re për t’i sjellë politikës në përgjithësi dhe opozitës në veçanti. Kanë 32 vite në lidershipin e politikës, kanë përfituar nga shqiptarët postet më të rëndësishme që ka ky vend, që nga ministri, zv.kryeministri, kryeministri, kryetari i Parlamentit dhe Presidenti. Dhe shqiptarët vërtetë janë të çuditur aq sa pyesin: “Akoma s’janë ngopur me pushtet këta dy njerëz, për 32 vite me radhë sa kërkojnë sërish”. Megjithëse nuk e dinë se çfarë kërkojnë më nga shqiptarët në këtë vend.
Ndaj nuk ka frymë jo për të bërë një revolucion për të përmbysur Edi Ramën nga qeveria, siç kanë premtuar pa e realizuar asnjëherë, por nuk i bëjnë dot as opozitë pushtetit të socialistëve që po konsumon mandatin e tretë në qeverisje dhe po përgatitet për të katërtin, të pestin e kështu me radhë. Praktikisht opozita me këtë lidership ka ‘vdekur’
Dhe herën e fundit që opozita doli në protestën e shumëlajmëruar dhe shumëpërgatitur për të “fshirë nga faqja e dheut Edi Ramën”, më 6 dhjetor, në muajin e fundit të vitit të kaluar, ishte një tubim që jo vetëm nuk kishte pamje “revolucioni” por për vetë kushtet në të cilat ishte thirrur, zhvillohej në Tiranë Samiti BE-Ballkani Perëndimor që kishte mbledhur bashkë 27 liderët më të fuqishëm europianë në kryeqytetin tonë, nuk arriti të shkonte as në formatin e një proteste të zakonshme. Pasi pjesëmarrja ishte tepër e vobektë, më e ulta e realizuar nga Berisha-Meta.
Dhe për më tepër në vend që “të fshinte Edi Ramën nga pushteti”, ai po bënte rolin e mikpritësit për 27 liderët e BE plus ata rajonalë në ato momente, kjo protestë dhe vetë thirrjet për dhunë nga lidershipi i opozitës sollën të paimagjinueshmen: ngritën ‘sentimentin’ e një të sëmuri mendor, i cili në mes të bulevardit dhe të rojeve të sigurisë, goditi me grusht në fytyrë liderin historik të demokratëve dhe kreun e “Rithemelimit” Sali Berisha, duke e palosur në asfalt. Ja ku konkludoi “revolucioni” i opozitës në fund të herës.
Por nga ana tjetër, gjithë përgatitja për “revolucion” e opozitës, në vend që të largonte Ramën nga pushteti apo të garantonin ‘sovranitetin’ e Shqipërisë që sipas tyre qeverisej nga ambasadorët “guvernatorë”, përfundoi në një luftë brenda llojit, duke dëbuar Bashën nga kreu i PD dhe duke e ndarë PD-në në disa pjesë.
Absurdi në partinë më të madhe të opozitës qëndron në faktin se pjesa që ka vulën dhe logon e PD, ka pakicën e mbështetjes së demokratëve. Ndërsa pjesa që ka ‘pjesën e luanit’ në radhët e anëtarësisë, është pa vulë dhe logo, dhe për të regjistruar kandidatët e saj për zgjedhjet e pushtetit vendor që janë në prag, do të duhet ose të regjistrohet me emër të ri në gjykatë, bashkë me logon dhe vulën e re të partisë, ose të futet nën “obrellën” e Partisë së Lirisë së Ilir Metës, i cili dihet, të nxjerr ‘rruar e qethur’ në fund të herës si kompensim për “nderin” që të bën.
Praktikisht revolucioni për “fshirjen e Ramës dhe qeverisë së tij nga faqja e dheut”, në fund të herës përfundoi me zhbërjen e opozitës. Pasi nuk di ku ka kokën dhe ku ka këmbët, dhe më shumë se sa fushatë për zgjedhjet vendore për kryetarët e bashkive e këshilltarët, por bën luftë brenda vetes për të groposur kundërshtarin, për t’i marrë vulën dhe logon dhe denigruar.
Dhe këtu nuk është se është prekur vetëm PD, të cilës po i largohen dhe deputetët njëri pas tjetrit, pasi nuk po e durojnë këtë situatë konflikti dhe “revolucioni” shkatërrues brenda partisë. Këtu futet dhe PL e Ilir Metës, të cilës po i largohen një nga një të gjitha figurat qëndrore dhe lokale që mblidhnin vota.
Ndërsa revolucioni për “sovranitetin” e vendit, lidershipit të opozitës iu përkthye me shpalljen ‘non grata” nga SHBA dhe Britania, dhe trajtimi si ‘non grata’ nga BE dhe organizmat e djathtë partiakë dhe të majtë europianë. Pra, kanë humbur mbështetjen ndërkombëtare në total.
Në fund të herës, ajo që mund të themi është se “revolucioni opozitar” i premtuar nga Berisha e Meta në vend që të ndryshonte qeverinë, duke e larguar nga pushteti siç deklarohej një ‘minutë e më parë’, u shndërrua në një revolucon që po “ha bijtë e vet’, dhe po shoqërohet me një izolim të fortë nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë ndaj opozitës. E cila praktikisht është zhbërë dhe nuk ka asnjë shans për të “qëndruar në këmbë” deri në fund të betejës elektorale për pushtetin vendor. Imagjinojeni si do jetë opozita në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.