Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektoi punimet e kryera në rrugën “Isak Shehu” dhe “Mahmut Hakani” në Rajonin 2 e cila u vjen në ndihmë mbi 500 banorëve të lagjes dhe nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Jeronim de Rada”.
Gjiknuri, që është dhe drejtues qarku, tha se ndryshimi në Elbasan është konkret me investime që kanë sjellë më shumë investim. “Ka qenë një fjalë e dhënë nga kryetari. Siç edhe e thonë banorët, këtu ka një ndryshim njëqind për qind sepse këtu ishte një terren ku ishte e vështirë të ecej. Për më tepër i shërben edhe shkollës. Këto janë punë konkrete, ndryshimi është konkret. Unë e kam parë në çdo lagje të Elbasanit. Kryetari i ka dhënë prioritet edhe këtyre zonave që kanë qenë më pak të urbanizuara”, tha Gjiknuri.
Ai siguroi banorët se puna për transformimin e Elbasanit do të vijojë dhe se kryebashkiaku Llatja do të ketë mbështetjen e qeverisë për këto punë të mira. “Një gjë dua të them, me Gledin kryetar bashkie dhe me mbështetjen e qeverisë këto punë do vazhdojnë. Ne do vazhdojmë ta transformojmë qytetin përditë. Ne jemi për punë, nuk jemi për llafet apo betejat e politikës. Ne kemi një qytetar të Elbasanit, një djalë që e do qytetin, një njeri që i njeh problemet e zonës dhe që ka qëllim kryesor si e si të ndryshojë jetën e qytetarëve dhe jo të bëjë politikën e madhe siç duan disa. Kështu që, unë them që këto janë gjëra konkrete që njerëzit i shohin përditë”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve theksoi se qytetarët e Elbasanit dinë të bëjnë dallimin mes atyre që punojnë përditë dhe atyre që duan ta kthejnë qytetin në bunker politik. Gjiknuri tha se PS është e vendosur për të punuar. “Nuk është puna e fundit. Ky do të vazhdojë ta bëjë këtë punë sepse përditë me atë punë merret. Detyra e këtij është të bëjë projekte, të vijnë në qeverinë shqiptare që të mbështeten dhe Elbasani të ndryshojë. Ky është qëllimi. Qytetarët nuk janë të verbër. Dinë të zgjedhin, kush është ai që punon për Elbasanin dhe kush është ai që do ta kthejë në bunker politik. Ne nuk duam bunkerin politik, ne duam punën”, u shpreh Gjiknuri.
Kryebashkiaku Gledian Llatja siguroi se investimet do të vijojnë në të gjithë zonat e qytetit. “Me planin që kemi, investimet do të shpërndahen në të gjithë Bashkinë e Elbasanit, jo vetëm në qendër të qytetit, jo vetëm në rajonin 1, 2 dhe 4, por në të gjithë qytetin. Faza tjetër është shtrirja në të gjithë lagjet e Elbasanit, përfshirë edhe infrastrukturën shkollore. Këtu afër kemi edhe shkollën “Onufri” e cila është në rikonstruksion total”, tha Llatja.
Rruga e re ishte një kërkesë e banorëve dhe e nxënësve të shkollës “Jeronim de Rada”. Ndërkaq, pas rehabilitimit të shkollave “Sali Çeka”, “Ali Myftiu”, “Bardhyl Popa” dhe “Jeronim de Rada”, Bashkia e Elbasanit po ndërhyn dhe në dy shkollat e tjera “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Onufri”.