Nga Eduard Zaloshnja

Në një pyetësor që u shpërndava elektronikisht në fundjavë 10 mijë banorve të rritur të Shqipërisë (në mënyrë krejtësisht rastësore), ishin disa pyetje rreth prirjes për të votuar kandidatë lokalë për kryebashkiakë. Të anketuarit kishin opsione të ndryshme si “Do të votoj sot për kandidat socialist”, “Ndoshta do të votoj për kandidat socialist”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Berishës”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Berishës”, “Do të votoj sot për kandidat të PD së Alibeajt”, “Ndoshta do të votoj për kandidat të PD së Alibeajt”, duke krijuar skenarë garash dyshe dhe garash treshe.

Meqë pothuaj 1600 banorë të rritur të Bashkisë Tiranë e plotësuan pyetësorin e sipërpërmendur, isha në gjendje të bëja ekstrapolime statitistikore të përafërta edhe vetëm për territorin e kësaj bashkie. Nga ekstrapolimi i përgjigjeve të të anketuarve tiranas (ku përfshiheshin mosha, gjinia, zona e banimit – urbane apo rurale– votimi më 25 prill 2021, simpatia për politikanët kryesorë kombëtarë, etj.), më rezultoi se Veliaj ka sot një epërsi prej 35-45 mijë votash, pavarsisht nëse përballë tij do të jenë dy apo vetëm një konkurent.

Kjo epërsi e Veliajt mund të shpjegohet statistikisht edhe me shpërndarjen e simpative të tiranasve ndaj katër politikanëve kryesorë – shumica dërrmuese e atyre që simpatizojnë Ramën kanë prirjen të votojnë për Veliajn dhe anasjelltas (mardhënia numerike nuk është biunivoke arthmetikisht, por korelacioni është i fortë statistikisht). Në tabelën shoqëruese mund të shihni vetë se kë simpatizojnë tiranasit e prirur për të votuar në zgjedhjet lokale.

Në territorin e Bashkisë Tiranë mbizotërojnë zgjedhës me prindër të lindur në Jugun e Shqipërisë dhe nga familje që nuk kanë qenë të persekutuara gjatë regjimit komunist. Një shumicë e këtyre zgjedhësve kanë prirje të votojnë majtas. Jo më kot, në dy dekadat e fundit në territorin e Bashkisë Tiranë, vetëm një herë koalicioni i djathtë ka arritur një barazim statistikor – më 2011, kur LSI-ja e majtë i kontribuoi koalicionit të djathtë me 21 mijë vota. Qysh prej atij viti, si PD-ja edhe LSI-ja janë dobësuar në Tiranë…

E kundërta ndodh në territorin e Bashkisë Kamëz (nga Lumi i Tiranës, deri në Lumin e Tapizës), ku mbizotërojnë zgjedhës me prindër të lindur në Veriun e Shqipërisë dhe nga familje që kanë qenë të persekutuara gjatë regjimit komunist. Atje epërsia e së djathtës është praktikish e garantuar…