Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka argumentuar dje, në emisionin “Opinion”, burimin e financimeve në industrinë e ndërtimit në Tiranë. Ai solli të dhënat e INSTAT-it dhe llogaritjet e Bankës së Shqipërisë, të cilat tregojnë qartë se ritmi i rritjes së industrisë së ndërtimit është i ngjashëm dhe në përputhje me ritmin e rritjes në tërësi të ekonomisë shqiptare.

Mazniku sqaroi se nëse do të kishte ndikim të parave të pista, të ardhurat nga ky sektor do të ishin më të larta se ritmi i rritjes së ekonomisë së vendit. Në fakt, sektori i ndërtimit aktualisht ka një ritëm më të ulët se sa sektorët e tjerë të ekonomisë, si135 janë bujqësia, industria, tregtia etj.

“Ndërtimi, në matjen e GDP, e ka informalitetin zero sepse matet nga inputet dhe outputet, nuk matet nga të dhënat administrative. Sektorët si bujqësia, industria, tregtia dhe shërbimet, janë rritur me një normë më të lartë në Shqipëri, se sa industria e ndërtimit. Këto janë të dhëna të Bankës së Shqipërisë. Fakti që në një moment të caktuar – në vitet 2011, 2012, 2013, 2014 – ke pasur një rënie të sektorit të ndërtimit, ky sektor si pasojë e kërkesë-ofertës e merr veten më vone, në vitet 2016, 2017, 2018, 2019 dhe 2020, duke iu afruar kështu ritmit të sektorëve të tjerë. Pra, kemi të bëjmë me një ritëm brenda normales të të dhënave ekonomike së vendit. A ka para të papastra? Mund të ketë, por kjo ndodh proporcionalisht me çdo sektor tjetër të ekonomisë. Në qoftë se do kishim para të papastra në ndërtimi, ritmi i rritjes së këtij sektori do të ishte më i lartë se çdo sektor tjetër. Fakti që ritmi i ndërtimit është nën ritmin e bujqësisë, tregtisë dhe shërbimeve të tjera, do të thotë që ky sektor nuk është veçanërisht i dëmtuar nga paratë e papastra”, sqaroi Mazniku.