Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e mbylli vizitën e djeshme në Luginën e Preshevës me një takim me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi. Në bisedën mes tyre, Arifi vlerësoi punën e Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare për të bashkuar shqiptarët në punë, projekte dhe ide në të mirë të qytetarëve.

“Sot pata kënaqësinë e posaçme të prisja kryetarin e Kryeqytetit të Shqiptarëve, z. Erion Veliaj. Kemi filluar një bashkëpunim shumë të frytshëm me Unionin e Komunave Shqiptare, që drejtohet nga kryetari Veliaj, i cili, duke e udhëhequr atë Union, është duke i bashkuar shqiptarët. Në takimin e fundit që patëm në Prishtinë, kemi krijuar edhe një fond të përbashkët për të ndihmuar arsimin shqip në Luginën e Preshevës, ndaj i jam shumë mirënjohës për këtë nismë dhe shpresoj që ta realizojmë së bashku. Shumë faleminderit kryetar, je gjithmonë i mirëseardhur në Luginën e Preshevës dhe Bujanovc”, u shpreh Arifi.

Kryebashkiaku Veliaj i dhuroi kryetarit Arifi Kullën e Sahatit të Tiranës dhe vlerësoi faktin se Komuna e Bujanovcit është ndër më aktivet në Union e Bashkive Shqiptare.

“Këtë javë kujtuam 555-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe secilit prej nesh i kujtohet amaneti që i la ai Gjonit: “Kur thuprat janë të gjitha bashkë, nuk thyhen”. Ama, veç e veç, secili prej nesh thyhet. Kur jemi të gjithë bashkë, jemi më të forte, mund të përparojmë kauzat dhe komunitetet tona, secili mund të japë kontributin e tij, në atë copë të kombit ku është thirrur të shërbejë. Ju falenderoj shumë që jeni një nga anëtarët më aktivë të Unionit të Bashkive dhe Komunave shqipfolëse në rajon. E kemi themeluar para pak vitesh dhe sot gjykoj se është shoqata më e fortë e komunave dhe e bashkive, jo se financohet nga donatorë të mëdhenj të huaj, por se ne kemi dëshirë që të jetë një organizatë e fortë. Ndaj, e vlerësoj jashtë mase mikpritjen dhe këtë kontribut,” u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se jo vetëm Bashkia e Tiranës, por edhe Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë, ka në vëmendje të veçantë komunën e Bujanovcit, ashtu si të gjitha komunat shqipfolëse në rajon.

“Jam këtu së bashku me anëtarë të Parlamentit të Shqipërisë, me anëtarë të qeverisë, me anëtarë të këshillit tonë bashkiak, për të treguar vëmendjen që ka Shqipëria për Bujanovcin; jo vetëm Tirana, por edhe Parlamenti i Shqipërisë, edhe qeveria, edhe këshillat tanë bashkiakë. Mezi pres që këtë traditë të mirë, këtë ngrehinë që e kemi themeluar me Unionin, ta ngremë në një shtëpi të madhe të kombit tonë, jo për të ndërruar kufijtë, jo për të provokuar fqinjët – nuk është ky roli ynë – por për të mësuar nga njeri-tjetri, sepse kombet që dinë janë kombet që ecin më mbarë dhe ne duhet të jemi komb që dimë. Ne duhet të mësojmë nga çfarë ka bërë secili prej nesh dhe se si mund të përparojmë aty ku jemi thirrur të shërbejmë,” nënvizoi Veliaj.

Gjatë kësaj vizitë, kryebashkiaku Veliaj u takua edhe me kreun e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, deputetë dhe përfaqësues të partive shqiptare. Ai u vlerësua edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Preshevës.