Nga Mero Baze/

Sali Berisha po përpiqet t’i imponohet KQZ-së si pjesa zyrtare e PD, duke përdorur faktin që një gjyqtar i Tiranës i ka regjistruar aktet e Kuvendit të 11 dhjetorit, ku ai ka shpallur rithemelimin e PD. Madje për këtë ai po përpiqet t’i referohet faktit që Bindja Demokratike u regjistrua në vitin 2019 në zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për regjistrimin e saj. Dhe ai e quan të mjaftueshëm vendimin e Shkallës së Parë për aktet e Kuvendit të tij.

Nuk di kush ja ka dhënë këtë “argument” për të hequr paralele, por duket që nuk e ka mendjen shumë tek argumentet juridike, se sa tek justifikimi që kërkon për trazira, duke shpresuar se përmes protestave para zgjedhjeve, do të arrijë të mposhtë gjykatat.

Nga ana juridike, regjistrimi i Bindjes Demokratike në zgjedhjet e vitit 2019, nuk ka qenë problem legjitimiteti, pasi ajo nuk kishte ndonjë konkurrencë për legjitimitetin e saj. Ajo ishte themeluar dhe ishte regjistruar.

Ankesat kundër saj, të nxitura në atë kohë nga PD, ishin pse u pranua në zgjedhje pa u shqyrtuar në apel kërkesa e atyre që nuk donin të merrte pjesë në zgjedhje. Kjo nuk është çështje legjitimiteti, është çështje procedure për të penguar një parti rivale të garojë.

Krijimi i një partie është vullnet politik, nuk është procedurë. Regjistrimi është procedurë. Nëse Berisha e konsideron Kuvendin e 11 dhjetorit, Kuvend rithemelimi, dhe do të krahasohet me Bidnjen Demokratike, atëherë ai paska themeluar një parti të re dhe atë duhet t’ia njohë çdo gjykatë.

Por nuk mund të bësh një Kuvend rithemelimi pa një proces transparent identifikimi të pranuar nga të gjithë, dhe të kërkosh që nga ky Kuvend t’i marrësh logon dhe vulën një partie tjetër që e konsideron të vdekur.

Të gjitha argumentet që kërkon të përdorë Berisha, jo vetëm që nuk kanë asnjë lidhje me njëra- tjetrën, por i prishin punë dhe më shumë atij në kauzën për marrjen e vulës para zgjedhjeve.

E vetmja gjë përse i vlen kjo vetëshpallje fitues i vulës, është për të justifikuar mos hyrjen në zgjedhje dhe provokimin e dhunës para tyre.

Kjo tani është një çështje e zgjidhur. Për të gjithë ata që bojkotojnë zgjedhje, ka një leksion të hidhur nga bojkoti i vitit 2019. Kurse për të gjithë ata që premtojnë dhunë, ka leksione dhe më të hidhura se ajo e bojkotit.

Berisha së paku e di që nuk tremb dot as rojet e godinës së Lulit me dhunë, e jo më ato të qeverisë.

Por shpresa e tij është se ndoshta tremben gjyqtarët. Kot nuk është dizajnuar nga SHBA si shantazhues i sistemit të drejtësisë.

Të paktën shpreson t’ia shikojë hajrin presionit mbi drejtësinë, meqë është ndëshkuar për këtë gjë.