Nga Jon Kværne Aftenposten

Problemi kryesor është besimi i aktorëve perëndimorë se nacionalistët e korruptuar dhe autoritarë mund të trajtohen si partnerë – edhe pse vazhdojnë të veprojnë në konflikt të drejtpërdrejtë me vlerat demokratike.

“Nëse ju vrisni një serb, ne do të vrasim 100 muslimanë”, kërcënoi një politikan i ri serb në vitin 1995. Deklaratat si kjo e çuan atë në majat e pushtetit në vend të gjykatës së krimeve të luftës në Hagë. Sot ai është president i Serbisë dhe është pritur me madhështi dhe shkëlqim në një vizitë zyrtare në Norvegji, edhe pse ai nuk u distancua nga fjalët e tij.

Nuk mund të përjashtohen përplasjet e dhunshme

Tensionet e viteve ’90 vazhdojnë të dominojnë në disa nga vendet e ish-Jugosllavisë. Luftëra të reja nuk janë të mundshme, por nuk mund të përjashtojmë përplasjet e dhunshme. Sidomos nëse aktorëve të tillë si Rusia u jepet hapësirë ​​për të shfrytëzuar tensionet që ekzistojnë.

Për disa dekada, Perëndimi është përpjekur të ndihmojë vendet e ish-Jugosllavisë që të zhvillohen si shoqëri që funksionojnë mirë. Kjo është bazuar në një supozim kryesor se vendet duan të bëhen pjesë e BE-së. Megjithatë, tani është e qartë se ky supozim nuk qëndron.

Shumë politikanë ballkanas nuk shohin asnjë përfitim për t’u bërë demokratë kur kanë arritur të qëndrojnë në pushtet si nacionalistë. Ata thonë se do të bëjnë reforma, por në vendet e tyre minojnë shtypin, drejtësinë dhe të gjitha institucionet e tjera. Dhe vjedhin paturpësisht burimet e shtetit.

Sllovenia dhe Kroacia janë tashmë anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe nuk kërcënohen nga trazira të mëtejshme. Në të kundërt, situata në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi karakterizohet nga polarizim etnik në rritje të shpejtë dhe dobësim gradual institucionesh. Kosova është e ekspozuar ndaj demonstratave të dhunshme dhe destabilizimit nga jashtë. Serbia është aktori më i fuqishëm i rajonit dhe është përgjegjëse për pjesën më të madhe të këtij zhvillimi – duke përfshirë atë që shohim në vendet fqinje.

Historia po falsifikohet

Në Serbi, ideologjia e epokës së Millosheviçit është rehabilituar plotësisht. Nuk është aq e habitshme kur lideri i sotëm, presidenti i sapopërmendur Aleksandar Vuçiq, ishte ministër i propagandës së Millosheviqit dhe ministri i jashtëm i sotëm ishte zëdhënës i shtypit i Millosheviçit. Në Serbinë e tyre, po shfaqen murale të mëdha të kriminelëve të luftës si dhe po i bëhen nderime Putinit dhe grupit Wagner.

Presidenti dhe qeveria falsifikojnë historinë, ndërsa shtypi i kontrolluar nga autoritetet është i mbushur me retorikë nacionaliste. Oficerët e policisë këndojnë publikisht për kryerjen e masakrave të reja kundër pakicave të Serbisë – pa hasur në reagime.

Prandaj shtrohet pyetja pse diplomatët perëndimorë dhe të dërguarit specialë – gjithashtu norvegjezë – vazhdojnë t’i lënë këta liderë të vendosin kushtet për zhvillim të mëtejshëm në rajon, në kurriz të vendeve të pambrojtura fqinje.

Ndryshimeve legjislative të detyrueshme

Në Bosnje (ku Kroacia gjithashtu luan një rol dukshëm negativ), Perëndimi kohët e fundit ka detyruar ndryshimeve legjislative që çimentojnë ndarjet etnike dhe forcojnë kontrollin e pushtetit të liderëve të korruptuar, të mbështetur nga Rusia. Do të ishte mirë të gjejmë një diplomat që mund të shpjegojë se si forcimi i partnerëve lokalë të Moskës është në përputhje me interesat tona.

Në Kosovë, një trup i bashkuar diplomatik perëndimor po bën presion për krijimin e një njësie administrative të veçantë “serbe” në vend. Edhe pse një institucion i tillë sipas të gjitha gjasave do të keqpërdoret për të minuar shtetin. Argumenti është se duhet të respektohen marrëveshjet e lidhura më parë. Edhe aty ku këto janë të paqarta dhe të lidhura në mënyrë jodemokratike.

Politikanët shqiptarë që protestojnë, veçanërisht kryeministri i vendit, Albin Kurti, janë cilësuar si “jo fleksibël” dhe “dogmatikë” nga diplomatët perëndimorë. Kjo përkundër faktit se Kurti është një nga të paktët politikanë të lartë në Ballkan që nuk dyshohet për korrupsion dhe ka luftuar vazhdimisht dhe parimisht për vlerat demokratike.

Situatë paradoksale

Sot kemi përfunduar kështu në një situatë paradoksale ku mbështesim autokratë të korruptuar në një masë më të madhe sesa politikanët që ndajnë të njëjtat vlerat si ne. Si mund të ndodhte kjo?

Shpjegimi më i rëndësishëm është se politikanët dhe diplomatët perëndimorë vazhdimisht i frikësohen trazirave të reja në Ballkan, por jo aq sa për t’u përballur me ata që realisht e krijojnë atë. Në vend të kësaj, ata ushtrojnë presion mbi palët që i shohin si më pak kërcënuese. Beogradi e kupton këtë dhe inskenojnë situata dramatike, për të cilat më pas shpërblehen kur i mbyllin.

Kjo nuk është shumë ndryshe nga situata që Rusia arriti të ruante në skenën ndërkombëtare për shumë vite: Kremlini u sigurua për kufizim në ndërhyrje nga ana e Perëndimit duke e portretizuar qëllimisht veten si një aktor të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm.

Diplomatët përpiqen të kamuflojnë lëshimet me retorikë për “palë” të barabarta ku “të dyja palët duhet të ulin nivelin e tensionit”. Dhe flasin për “nacionalistë konkurrues”. Megjithatë, e vërteta është se “palët” janë larg të qenit të barabarta. Nuk ka vende të tjera në rajon ku propaganda dhe falsifikimi i historisë përshkojnë shoqërinë në të njëjtën shkallë si në Serbi.

Besimi se ne mund të mbështetemi te nacionalistët e viteve ’90 nuk ka prodhuar deri tani rezultatet që Perëndimi shpresonte. Mosveprimi ynë përballë nacionalizmit agresiv e ka bërë konfliktin e rinovuar më të mundshëm, nuk e ka zbutur atë.

Prandaj është koha për një qasje të re – por cila?

Nul duhet të frikësohemi

Përgjigja është krejt afër. Perëndimi duhet t’i kthehet një politike që respekton vlerat mbi të cilat bazohen vetë shoqëritë tona. Ne duhet të ndalemi së frikësuari nga kërcënimet e autokratëve. Në vend të kësaj, ne duhet t’u japim mbështetje vendimtare aktorëve të cilët, nëpërmjet veprimit, tregojnë se ndajnë të njëjtat vlera me ne. Idealet nuk janë teorike, por rregulla që duhen mbajtur mend për praktikat që herë pas here rezultojnë të dobishme.

Këto rregulla janë po aq të rëndësishme në Ballkan sa edhe në shoqëritë tona. Ne duhet të insistojmë në to, edhe kur autokratët protestojnë. Ata kanë nevojë për paratë e Perëndimit dhe legjitimitetin që ai jep për t’u përfshirë në shoqërinë e mirë ndërkombëtare. Këto janë burime që përfaqësuesit e Perëndimit mund t’ua mohojnë. Në fund të fundit, kapacitetet reale të demokracive janë të mëdha. Prandaj, kërcënimet nga autokratët duhet të përballen me një mesazh të qartë se ata do të humbasin nga një konflikt i mundshëm.

Duke iu rikthyer një politike të bazuar në vlera, Perëndimi mund të ketë sërish një shans për të kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkan. Politika e jashtme norvegjeze gjithashtu duhet të kontribuojë në këtë.

Jon Kværne, studiues i ftuar në Departamentin e Studimeve të Mbrojtjes, ish-asistent i atasheut të mbrojtjes në Ambasadën Norvegjeze në Beograd (2019–2021)

TemA

Përktheu Suela Kacerja