Taribo West, ish-futbollisti i famshëm për gërshetat e tij ngjyra-ngjyra, i cili ka luajtur edhe me Interin dhe Milanin në Serinë A, sot është prift. Nigeriani, i cili u tërhoq nga futbolli në vitin 2007, pas një karriere ku u aktivizua me Auxerre, Inter, Milan, Derby County apo Kaiserslautern, themeloi në vitin 2014 një kishë, me anë të së cilës, siç tregon ai, ka ndihmuar të pastrehët dhe gratë nigeriane që u dërguan në Itali për të punuar si prostituta.
“I kam dhënë një vend ku të qëndrojnë dhe më pas kemi kërkuar punë për këta njerëz”, shpjegon Taribo West. 48-vjeçari thotë se në kishën e tij janë të ftuar të gjithë të krishterët, pa përjashtim.
Taribo West ishte shumë besimtar në periudhën kur luante në Itali, aq sa një herë u përpoq që të bindte trajnerin e Interit, Marcello Lippi, që të luante si titullar, duke i thënë se Zoti i ishte shfaqur dhe i kishte bërë me dije se duhet të luante. Ky argument nuk e bindi Lippin.
“Pak pas Botërorit të Francës (1998), shpirti i Zotit u shfaq para meje dhe më tha të bëhesha prift”, kujton West.