Evelina Kristilin, anëtare e Këshillit të FIFA-s dhe person i afërt me familjen Anjeli, ka komentuar sot për mediat italiane atë që po ndodh te Juventusi. Ajo ka qenë e qartë në parashikimin e saj se telashet për bardhezinjtë nuk kanë përfunduar, pavarësisht protestave të tyre për padrejtësi në dënimin e Apelit që u hoqi 15 pikë.
“Kemi mbetur të gjithë të çuditur duke parë se 9 pikët e kërkuara nga prokurori Çine u rritën deri në 15. Duhet pritur që të lexohet se çfarë përshkruhet në argumentimin e vendimit, pasi ne ndoshta njohim vetëm një pjesë të kësaj historie që është me të vërtetë e shëmtuar”, tha ajo për “Rai Sport”.
“Pas dënimit do të mungojë edhe një pjesë tjetër pasi është edhe diskutimi i manovrës me rrogat. Do të ketë dëme ekonomike për mospjesëmarrjen në Kupat e Europës, por jo vetëm. Më pak njerëz në stadium, më pak të abonuar, më pak sponsorë. Dikush po thoshte që një fëmijë 10-vjeçar është e vështirë që të bëhet tifoz juventin pas një goditje të tillë”, ishin fjalët e saj.