TIRANË- Një ditë pasi Shqiptarja.com denoncoi kulmin, që ende asnjë prokuror nuk ka administruar audio-kasetën mbi 21 janar që 18 ditë më parë ka bërë shumë zhurmë në botën e medias dhe atë politike, Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompentencë për kallëzimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste për 21 janarin. Kallëzimi ishte bazuar pikërisht mbi kasetën si prova kryesore. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi ka mësuar se SPAK ia ka kaluar dosjen Prokurorisë së Tiranës për hetim.

Prokurorja Manjola Kajana ka vlerësuar elementë që nuk janë kompetencë e kësaj prokurorie për ta hetuar si dosje. Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka të hapur hetim për 21 janarin, pasi vrasja e Aleks Nikës është e vetmja që ka mbetur pa vrasës. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që gjatë hetimit, Prokuroria e Tiranës mund të gjejë elementë që nuk janë kompetencë e saj t’ia kalojë sërish dosjen Prokurorisë së Posaçme. Dhe ping-pongu vazhdon.

Kallëzimet në SPAK nga ana e PS erdhën pasi publikimit në media të disa transkriptimeve të një audi-përgjimi në të cilin tregohej komunikimi mes gardistëve ditën e 21 janarit, ku 4 persona mbetën të vrarë në shesh nga armët e shtetit. PS kërkoi që SPAK të zbardhë 21 janarin, duke kallëzuar penalisht për vrasje në rrethana cilësuese ish-kryeministrin Sali Berishën, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës Ndrea Prendin.

Në kallëzimin e bërë nga PS dhe Ministria e Drejtësisë thuhet se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë për të shtënë ndaj personave të pafajshëm. PS thotë se s’ka qytetar që nuk e ka kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha.

Në dokument i referohen audio-përgjimit, që xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ia ka dhënë gazetarit, ku sipas tyre rezultojnë të dhëna të reja si dhe fjalë konkrete të të kallëzuarit Ndrea Prendi gjatë zhvillimit të kësaj ngjarje dhe del në pah më së miri dhënia e urdhrave për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë, siç janë të kallëzuarit e tjerë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Kjo audio-kasetë sipas një investigimi të publikuar një ditë më parë nga Shqiptarja.com nuk është akoma në duart e hetuesve, pra të drejtësisë. Gazetari që lajmëroi në media zbulimin e audio-kasetës refuzoi ta dorëzonte në prokurorinë që e thirri, duke deklaruar se nuk e kishte më me vete pasi ja kishte dhënë Mark Nikës (Xhaxhait të Aleks Nikës). Nika nga ana e tij refuzoi t’ia jepte Prokurorisë së Tiranës duke thënë se do t’ia dorëzonte vetëm SPAK-ut.