Kërkimi shkencor është pika më e dobët e universiteteve shqiptare. Ky fakt pranohet edhe nga Ministria e Arsimit pasi ka mbyllur riakreditimin e 12 institucioneve publike dhe private. Përjashtim nuk bëjnë as dy universitetet më të mëdha dhe më të kërkuara, ai i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë. Edhe pse kanë marrë vlerësimin maksimal, krahasuar më institucionet e tjera në këtë proces, Universitetit të Tiranës dhe atij të Mjekësisë ju kërkohet rritja e cilësisë së kërkimit shkencor dhe publikime në revista cilësore.

Drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Arsimit të Lartë thotë për A2 CNN se i njëjti rekomandim është lënë edhe për 10 universitetet e tjera. Referuar procesit të vlerësimit edhe këto institucione kanë arritur “të kalojnë klasën” por me nota më të ulëta. Një i tillë është Universiteti i Korçës të cilit i kërkohet të rrisë edhe cilësinë e pedagogëve si dhe të aplikojë strategji të reja për të thithur studentë.

I pyetur nga A2 CNN rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata pranon se kërkimi shkencor është i lidhur direkt me financimin, atë që prej kohësh kërkojnë edhe stafet akademike.

Gjata ka komentuar edhe rankimet ndërkombëtare që i rendisin universitetet tona në fund të klasifikimit. Shqipëria ka të akredituar 42 institucione të arsimit të lartë, 15 universitete publike dhe 27 private.