Nga Adriatik Doçi/
Pas një procesi maratonë dëgjimor, në 21 dhjetor 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me një vendim të diskutueshëm shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Shkodrës, Andri Ymeri. Trupa gjykuese përbehej nga Pamela Qirko kryesuese, Genta Tafa (Bungo) relatore dhe Firdes Shuli anëtare. Andri Ymeri u shkarkua pasi i zhvillonte proceset gjyqësore shpejt (disa nga gjyqet i përfundonte brenda 5 ditëve), se nuk justifikonte 300 mijë lekë të fituara nga babai duke shitur fruta dhe perime, se nuk kishte bashkëpunuar me trupin gjykues etj. Pas zbardhjes së vendimit, Andri Ymeri i është drejtuar me ankim Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të KPK-së si të paligjshëm, arbitrar dhe madje sipas tij, me një fill urrejtje.
Tashmë do të jetë KPA, shkalla e dytë dhe fundore e Vetingut, që do të vlerësojë vendimin e KPK-së për gjyqtarin e Shkodrës, Andri Ymerin. Por, në ankiminin prej 420 faqesh të gjyqtarit Ymeri, të siguruar nga Shqiptarja.com, bie në sy edhe ironia therëse e gjyqtarit ‘rebel’ me trupin gjykues. Pjesë e ankimimit voluminoz është edhe një fabul e shkrimtari Franc Kafka, një alegori, që përmes figurave simbolike, portretizon një trupë gjykuese të padrejtë. Fabula sjell një juri me tre leopardë, të zgjedhur me konkurs si leopardë, por që në fakt nuk ishin të tillë. Ata marrin në gjykim një çështje të vështirë, ku në fund vendosin që lepuri në administratë të paguhej si ari, ndërsa ariu të paguhej si lepur.
Pjesë nga ankimimi
“Vendimin e lexova relativisht shpejt. Pasi e lexova m’u krijua krahas zemërimit, zhgënjimit, ndjesisë që është ky vendim është i padrejtë, i paligjshëm, arbitrar, që përshkruhet nga një fill i dukshëm urrejtjeje përkundrejt meje, edhe një ndjesi tjetër, me karakter tragjiko-komik, të cilën po e shpreh, duke thirrur në ndihmë një shkrimtar të njohur surealist, që quhet Franc Kafka. Ky shkrimtar, në veprën (esenë) e tij, “Mbretëria e kafshëve të pyllit”, përshkruan një situatë të ngjashme me sa më poshtë :
Në pyll, meqenëse vendoste monarkia, ku mbretëronte luani, nga bota e njerëzve iu tha luanit që organizimin shoqëror dhe rendi i gjërave duhet medoemos të demokratizohej dhe të mos bëhej si t’i tekej atij.
Meqenëse luani, si kafshë që ishte refuzoi, njerëzit e hoqën qafe luanin dhe morën përsipër vetë t’a demokratizonin jetën e banorëve të pyllit. Si fillim, për t’a bërë këtë, nxorën një urdhëresë që rekrutimi në të gjitha funksionet vendimmarrëse apo zbatuese në pyll, do të bëhej me konkurs.
Një nga konkurset që u zhvillua, ishte ai për të punuar si lepur. Në këtë konkurs, mori pjesë vetëm një ari i papunë, dhe meqenëse ishte kandidaturë e vetme, ai e fitoi konkursin.
Pak, me vonë, u bë një konkurs tjetër, për të punuar si ari. Në këtë konkurs, meqenëse kriteret ishin shumë “të rrepta”, mori pjesë vetëm një lepur, dhe meqenëse edhe ky ishte kandidaturë e vetme, ai e fitoi konkursin.
Një ditë, lepuri po i thoshte ariut, që kam rrogë të madhe pasi unë jam lepur dhe paguhem si ari. Duke qenë se ariu u indinjua kur e mori vesh, vendosi t’i drejtohej gjykatës për t’u ankuar.
Pas njohjes me ankesën e ariut, u mblodh trupi gjykues i përbërë nga tre leopardë dhe ftuan në seancë dëgjimore ariun edhe lepurin.
I pari, mori fjalën ariu, i cili tha shkurt. Unë jam ari dhe paguhem si lepur, ndërkohë lepuri paguhet si ari ndërkohë që është lepur. I kërkoj gjykatës t’a zgjidhë këtë punë.
Pastaj mori fjalën lepuri, i cili bëri një parashtrim të gjatë, që si bosht kryesor kishte premisën se një shoqëri demokratike ka si bazë të saj, rekrutimin e punonjësve me konkurs. Ai kishte marrë pjesë në konkursin për ari dhe kishte fituar në mënyrë të ligjshme. Për rrjedhojë, ishte e drejta e tij, që të vijonte të paguhej si ari.
Trupi gjykues, me tre leopardë, u tërhoq për të marrë vendim. Meqenëse çështja paraqitej disi e komplikuar, e panë të udhës të kërkojnë një mendim amicus quria nga një këshilltar prej botës së njerëzve.
Këshilltari nga bota e njerëzve, me shumë elegancë dhe kompetencë, iu tha leopardëve.
Të nderuar, ju takon juve të merrni vendimin, jo mua pasi në të kundërt do dhunohej parimi i dhënies së drejtësisë vetëm nga Gjykata. Megjithatë, por t’iu ndihmuar, po iu tregoj se në vija të trasha, në botën e njerëzve, ekzistojnë dy rryma të filozofisë të së drejtës, që janë:
1. Teoria formalo juridike e themeluar nga Aristoteli, Hegeli, etj, sipas të cilës norma e ligjit është koncept elitar dhe nuk është detyrë e gjyqtarit për t’a interpretuar atë, edhe në rastet kur zbatimi i saj shkon kundër rregullave të arsyes. Kjo teori, kritikohet pasi në popull shumica nuk është elitë dhe për rrjedhojë, zbatimi i normës, mbart rrezikun të mos kuptohet madje të konsiderohet si arbitraritet. Po kjo teori, ka ca që e lavdërojnë, me arsyetimin se një shoqëri nuk zhvillohet nga tërësia e anëtarëve të saj, por vetëm nga elita e saj. Për rrjedhojë, është e drejtë dhe detyrë e elitës që të përcaktojë përmes normave juridike, këmishën e forcës të cilës duhet t’i binden pa diskutim, të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, pavarësisht nëse janë apo jo elitë.
2. Teoria e pozitivizmit ligjor, e themeluar nga Kelzeni, Hobs, Kant, etj, sipas të cilës, norma nuk duhet zbatuar kur bie ndesh me rregullat e arsyes të gjithë pranuar nga shumica e anëtarëve të shoqërisë ku zbatohet. Kjo pasi norma buron në thelbin e saj nga morali, dhe meqenëse morali ka në themel të tij, parimin e drejtësisë që jo vetëm jepet por edhe duhet te duket se po jepet, i bie që për rrjedhojë drejtësia të mos jetë vetëm laë por edhe ius, pra, jo vetëm normë, por edhe e drejtë. Edhe kjo teori ka ca që e kritikojnë, kryesisht anëtarët e elitës, me argumentin që janë vetëm ata dhe jo shumica e anëtarëve të shoqërisë, që kanë domenin e progresit shoqëror. Sipas tyre, progresi shoqëror mund të dëmtohet nga zbatimi i kësaj teorie, pasi i bie që elita të jetë e detyruar t’i nënshtrohet vullnetit të shumicës dhe për rrjedhoje elitës mund t’i kufizohet hapësira e veprimit që mund t’a ketë të nevojshme për të zhvilluar shoqërinë.
Në përfundim, këshilltari nga bota e njerëzve, i tha tre leopardëve, – ju përket juve që përmes vendimit që do jepni, të zgjidhni nëse do t’a zhvilloni shoqërinë duke dhënë drejtësi si elitë, apo do t’a zhvilloni shoqërinë sipas mendimit që keni lidhur me moralitetin dhe drejtësinë që do perceptojnë shumica e anëtarëve të shoqërisë, lidhur me vendimin tuaj. Kjo zgjedhje, ka të bëjë me integritetin tuaj të nderuar gjyqtarë, tha këshilltari nga bota e njerëzve.
Tre leopardët, nuk është se e morën vesh krejt ç’ka tha këshilltari, por dëgjuan dhe kuptuan vetëm që ai iu tha atyre “elitë”. Për rrjedhojë, me pamje të vetëkënaqur, pasi më parë kishin parë një film, dhe pa ndonjë empati për vuajtjet që do shkaktonte vendimi që do shpallnin, madje me krenari që buronte nga ndjesia e omnipotencës të qenies elitë, vendosën që lepuri do vijonte të paguhej si ari dhe ariu si lepur.
Ariu doli jashtë sallës, me pamje të përvuajtur dhe gjithashtu i tronditur. Një shok i tha, po si nuk fole më shumë, lepuri foli më shumë dhe ndoshta prandaj fitoi.
Ariu i ktheu përgjigje, – mua m’u duk se fola gjatë. Jam penduar që fola aq gjatë pasi tre gjyqtarët në fakt nuk ishin leopardë, por vetëm kanë fituar konkursin për të punuar si leopardë. Ata në fakt, ishin …. Normal që do duhej të fitonte lepuri”. (Shqiptarja.com)
(Kliko këtu për të parë ankimimin e plotë)